Presidenti Bujar Nishani, duke marrë shkas nga takimi tradicional që ai zhvillon me gazetarët çdo fillimviti, ka theksuar sot se politika, dhe veçanërisht mazhoranca aktuale, është duke ia hequr gjithnjë e më tepër kompetencat kreut të shtetit.
Ai i është referuar kryesisht kuadrit ligjor që rregullon shërbimin diplomatik dhe reformës në sistemin e drejtësisë. Teksa ka vënë në dukje se roli i kreut të shtetit është minimizuar, Nishani ka kërkuar që reforma në sistemin e drejtësisë të jetë transparente, gjithëpërfshirëse dhe “të merret edhe mendimi i Presidentit të Republikës.”
Në formën që është aktualisht, drafti i paketës ligjore të reformës në drejtësi parashikon zëvëndësimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe përjashtimin e kreut të shtetit nga e drejta për të emëruar gjyqtarët. Gjithashtu, parashikohet që Presidentit të Republikës t’i kufizohet edhe e drejta e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.





