Partia Demokratike nuk ka ndryshuar qëndrim, duke vazhduar të kërkojë mbajtjen e një tryeze politike për miratimin e opinioneve të Komisionit të Venecias për reformën në sistemin e drejtësisë. Sipas kryedemokratit Lulzim Basha, ekspertët nuk mund të kenë tagrin për ndryshimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, gjë që kishte sjellë edhe largimin e përfaqësuesve të Partisë Demokratike.

Kryetari i Partisë Demokratike ka zhvilluar sot një takim me grupin e ekspertëve që përfaqësojnë opozitën dhe më pas ka deklaruar se “asgjë më pak se rekomandimet e Komisionit të Venecias nuk është e pranueshme, dhe nuk kërkojmë asgjë më shumë se sa ato rekomandime.”

Basha është shprehur se ekspertët e Partisë Demokratike janë gati për t’u ulur në tryezë, por me kushtin që rekomandimet e Komisionit të Venecias të miratohen ashtu siç janë. Në rast të kundërt, Basha tha se zgjidhja është vetëm tryeza politike. Në këtë pikë, lideri i opozitës deklaroi se do të ishte i gatshëm të takohej me këdo në funksion të reformës në drejtësi. “Mirëpres çdo iniciativë të Presidentit të Republikës për të ndihmuar transparencën e proçesit, për të parë se kush ka vullnet,” – tha Basha, duke nënvizuar se “Partia Demokratike ka vullnet të çeliktë për reformën, ashtu si edhe për moskapjen e drejtësisë.”