Partia Demokratike, pavarësisht se ka vendosur që të mos dërgojë një draft alternativ të sajin për reformimin e sistemit të drejtësisë, do t’i adresohet Komisionit të Venecias me një letër ku do të shprehë shqetësimet e saj për përpjekjet e mazhorancës për kapjen e drejtësisë.
Megjithatë, ky vendim do të merret nesër, pasi të zhvillohet mbledhja e komisionit të posaçëm kuvendor për reformën në drejtësi. Deputetët e Partisë Demokratike do të marrin pjesë në atë mbledhje dhe, gjatë miratimit të draftit që do të dërgohet pranë Komisionit të Venecias, do të përpiqen të përfshijë mendimet e opozitës. Në rast se opinioni i opozitës nuk do të merret parasysh, Komisionit të Venecias do t’i dërgohet një letër, ku do të detajohet qëndrimi i opozitës.