Qëndrimi i Partisë Demokratike, gjatë mbledhjes së nesërme të komisionit të posaçëm kuvendor për reformën në drejtësi, do të jetë ai i një përqasje konsensuale bazuar në standartet e Komisionit të Venecias. Pas takimit që kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi me grupin e ekspertëve ligjore dhe disa deputetë, ishte deputeti Eduard Halimi ai që njoftoi qëndrimin e opozitës.
“Diskutuam bashkë me anëtarët e komisionit të posaçëm të teformës në drejtësi, anëtarë të opozitës bashkë me ekspertët, për qendrimin e çeliktë që ka opozita për një reformë në drejtësi, për një proçes konsensual bazuar në standardet e vendosura nga Komisioni i Venecias, – tha Halimi. – Një reformë në drejtësi, e cila duhet të bëjë të mundur largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, por ta mbajë sistemin e drejtësisë të pavarur, që do të thotë të implementohet një më një secili nga 138 rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Venecias në raportin paraprak të 21 dhjetorit.”
Deputeti Halimi ka përsëritur qëndrimin e opozitës për moskapjen e sistemit të drejtësisë nga mazhoranca. “Edi Rama është në konflik të hapur interesi pasi do të kapë drejtësinë për të mbrojtur kriminelët me të cilët fitoi zgjedhjet dhe me të cilët qeveris, – theksoi Halimi. – Ky është qëllimi i vetëm që ai ka në të gjithë këtë proçes. Ndaj dhe Partia Demokratike do të vazhdojë edhe nesër në arritjen e një drafti të reformës në drejtësi, që në përmbajtjen e vet ky draft të pasqyrojë një më një, të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias.”