Tiranë, 19 gusht 2014 – Partia Demokratike kushtëzon pjesëmarrjen e saj në reformën në drejtësi me 3 kushte, të cilat duhet të pranohen nga mazhoranca. Në një kohë kur pritet që Kuvendi të nisë sesionin e ri parlamentar me reformën në drejtësi, demokratët propozojnë që ky process të udhëhiqet nga ekspertiza ndërkombëtare, të jetë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale.

Deputeti Eduard Halimi thekson se këto 3 kushte janë plotësisht në frymën e standardeve europiane.

 “Reforma në drejtësi duhet të bëhet nën udhëheqjen e Komisionit të Venecias dhe ekspertizës ndërkombëtare. Të jetë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse”, shprehet ish-ministri i Drejtësisë gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike.

Brenda pak javësh Partia Demokratike do të bëjë publike para qytetarëve një dokument të hollësishëm strategjik mbi reformën në drejtësi. Sipas demokratëve, ky dokument synon që të garantojë sistemin e drejtësisë të pavarur nga politika, sikundër ministrit të Drejtësisë t’I hiqet e drejta e kërkesës për të shkarkuar gjyqtarët.

Në këtë kuadër, Halimi sqaron se këtë të drejtë duhet ta ketë Prokurori i Përgjithshëm, Kryetari i Gjykatës, Dhoma e Avokatisë.

“Sa më shumë të ketë monitorë që do të monitorjmë aq më shumë do të kemi identifikim të gjyqtarëve të korruptuar”, shprehet ai.

Gjithashtu demokratët kërkojnë që pjesa më e madhe gjyqtarëve të rekrutohen në sistem nëpërmjet Shkollës së Magjistraturës, duke i prerë në këtë mënyrë rrugën emërimevë të individëve politik.

“Kuota prej 75 % duhet të jetë brenda sistemit. Duke qenë brenda sistemit mundësia e kapjes së politikës është shumë herë më e vogël”, thotë më tej ish ministri i Drejtësisë.

Demokratët synojnë dhe shëndërrimin e Gjykatës së Lartë në gjykatë karriere.

“Asnjë anëtar i Gjykatës së Lartë nuk mund të bëhet anëtar pa kaluar në shkallën e parë, të Apelit dhe më pas në të Lartën. Pra të mos ketë kapërcime dhe forcimi i llogaridhënies”, tha Halimi.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/