Mazhoranca është tërhequr nga qëndrimi i deritanishëm, duke hequr nga diskutimi i tryezës së ekspertëve të gjitha variantet e veta të reformës së sistemit të drejtësisë, ndërkohë që ka lënë vetëm rekomandimet e Komisionit të Venecias. Kjo pritet të zhbllokojë situatën, duke sjellë në tryezë edhe ekspertët e Partisë Demokratike.

Burime pranë Partisë Demokratike bëjnë të ditur për “DurrësLajm” se, me sa duket, mazhoranca është tërhequr. Mësohet se rekomandimet e Komisionit të Venecias, sa i përket emërimeve në organet e drejtësisë, përcaktonin aplikimin e shumicës së cilësuar në Kuvend, që në këtë rast do të ishte dy të tretat e të gjithë deputetëve, ose 94 vota. Por, mazhoranca kishte sjellë për miratim një draft të rishikuar të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, duke parashikuar përdorimin e tre të pestave të deputetëve, ose 84 vota. Sipas draftit të vet, mazhoranca mund t’i bënte edhe e vetme emërimet, duke sjellë kështu edhe akuzat nga ana e opozitës për kapjen e sistemit të drejtësisë.

Por, pas disa takimeve të zhvilluara dje dhe sot, ku u përfshi edhe amdasadori amerikan Donald Lu, tashmë duket se ngërçi është tejkaluar. Në tavolinën e ekspertëve do të jenë vetëm rekomandimet e Komisionit të Venecias.