Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë sot në tryezën “Vlerësimi i Reformës në Drejtësi të Shqipërisë: Sfidat, Pasojat dhe Rruga e Drejtë”. Gjatë fjalës së tij, ai falënderoi Tomas Kunc, drejtorin e fondacionit Adenauer në Shqipëri, për mbështetjen e tij dhe angazhimin në çështje të rëndësishme për Shqipërinë. Po ashtu, Berisha shprehu mirënjohje edhe për Katrin Nagler, eksperten ligjore pjesëmarrëse në këtë ngjarje.

Berisha e nisi fjalimin duke theksuar se reforma në drejtësi ishte një projekt i realizuar në fshehtësi nga fondacioni “Shoqëria e Hapur”, dhe e cilësoi atë si “eksperimentin më të shëmtuar të ekstremit të majtë në Europë”, me ngjashmëri me disa veprime në SHBA dhe në shtete ku demokracia mungon. Ai theksoi se ky projekt i fshehtë përcaktonte ndryshime të thella në Kushtetutë, sistemin e drejtësisë dhe reformën elektorale.

Berisha u ndal te kritikat për ndikimin negativ të kësaj reforme, duke pohuar se ajo ka mohuar të drejtën e shqiptarëve për një proces ligjor të drejtë. Ai përmendi se që nga vitet ‘90, shqiptarët kanë pasur një proces ligjor të pranueshëm, por që kjo reformë ka sjellë një ndryshim për keq, duke e bërë atë të pamundshëm për qytetarët.

Në fund, Berisha vuri theksin tek raportet e Komisionit Europian që për një vend të progresuar kërkojnë një shtet ligjor funksional dhe një ekonomi të tregut funksionuese, duke sugjeruar se reforma e drejtesis është larg këtyre kërkesave.