Tiranë, 18 prill 2014 – Kreu i Bashkisë së Tiranës, njëherësh kreu i opozitës, Lulzim Basha ka përsëritur sot apelin drejtuar qeverisë për konsensus për reformën territoriale, duke shtuar se refuzimi do të sillte pasoja drastike dhe do e fuste vendin në një destabilitet politik.  Lulzim Basha i kërkoi mazhorancës qeverisëse të reflektojë dhe të bëjë të mundur konsensusin, lidhur me reformën territoriale. 

“Ne urojmë që konsensusi i cili u premtua dhe pastaj u kthye në një të paqenë të kthehet dhe të jetë vlera me të cilën i përvishemi një reforme si ajo territoriale. Nuk është vonë për të reflektuar. Nuk kemi kërkuar asnjë gjë më shumë se ç’kërkon Kushtetuta për respektimin e qytetarëve dhe ç’ka qenë traditë në këto 23 vite për reformat e tilla”,- tha Basha.

Deklarata është bërë nga njësia bashkiake numër 5 ku u mbollën ditën e sotme 80 pemë. Sipas Bashës, nuk mund të kuptohet nguti i qeverisë për rivijëzimin e kufijve. Ai theksoi sereforma duhet shumë më e thellë dhe se përfundimi i saj duhet t’i shërbejë qytetarëve, jo partive politike dhe as hartave elektorale. 

“Ndaj edhe një herë i bëj thirrje kryeministrit Rama, kryetarit të Kuvendit Meta, si dy bashkëkryetar të mazhorancës të bëjnë të mundur konsensusin. Asnjë paragjykim nuk ka vend, opozita do ta përdorë konsensusin në mirëbesim për të arritur një produkt në shërbim të qytetarëve. Nga ana tjetër refuzimi i konsensusit do të ketë pasoja dramatike, do të zhvlerësojë çdo hap të njëanshëm dhe do të fusë vendin në një spirale destabiliteti politik sepse refuzimi i konsensusit për këtë reformë është në fakt refuzim  i bashkëjetesës demokratike”,- tha Basha.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/