DURRËS, 10 dhjetor 2014 –  Pasi dëgjoi relatorët e të gjitha palëve të interesuara, më 9 dhjetor 2014, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për pezullimin e ligjit për ndarjen e re administrativo- territoriale. Ndërkohë që vendimi për kërkesën e dytë të PD-së, për shpalljen e këtij ligji antikushtetues, Gjykata Kushtetuese pritet ta japë pasi të marrë në shqyrtim të gjitha provat e paraqitura pranë saj. Pala paditëse, deputetët e Partisë Demokratike, u përfaqësuan nga deputeti i qarkut të Durrësit Oerd Bylykbashi. Gjatë fjalës së tij, Bylykbashi i renditi kolegjiumit të gjyqtarëve të Kushtetueses pesë arsye themelore se përse ligji i ri për Reformën Administrativo-territoriale duhet të shpallet antikushtetues. Ndërsa shumica përfaqësohej nga deputetët Armando Subashi dhe Bashkim Fino.

OPOZITA

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi:

“Ligji i ri i Ndarjes Administrativo-Territoriale duhet të shpallet antikushtetues për 5 arsye themelore. Së pari shqyrtimi i ligjit është bërë në kundërshtim flagrant me parimet kushtetuese të procesit ligjvënës. Nuk janë respektuar afatet kohore që kërkon një ligj i miratuar me shumicë votash, miratimi i ligjit me nxitim nuk i shërben demokracisë së vendit dhe është shumë e rëndësishme në funksionimin e shtetit të së drejtës. Nuk mund të bëhet një ndryshim i kufijve pa u pyetur më parë popullsia banuese në këtë territor. Kjo ndarje cenon barazinë e votës dhe peshën specifike të saj, pasi ligji nuk u shoqërua me ndryshime të tjera në ligjin për pushtetin vendor dhe atë zgjedhor… Ligji synon klientelizëm dhe përfitim politik. Kemi diskriminim politik, numri i njësive favorizon jugun e vendit. Barazia e votës ka rëndësi se sa është e barabartë në peshë, në vlerë, qoftë edhe në përfaqësim. Për të bërë një krahasim mes raportit të popullsisë dhe numrit të bashkive Bylykbashi përmendi qytetin e Durrësit dhe atë të Gjirokastrës. PD nuk ka ndonjë kundërshtim që të ekzistojnë edhe bashki të vogla, por është absurde që qarku i Durrësit me 400 mijë banorë ka 3 bashki dhe qarku i Gjirokastrës me 170 mijë banorë ka 7 bashki. Numri i këshilltarëve për banorë është 1 këshilltar për 600 mijë banorë në qarkun e Durrësit dhe 1 këshilltar për rreth 1600 banorë në qarkun e Gjirokastrës.

Kërkojmë pranimin e kërkesës së bërë nga Partia Demokratike dhe shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të ligjit për ndarjen administrativo territoriale të njësive vendore të Republikës së Shqipërisë.

“Është cenuar rëndë hierarkia e burimeve të ligjit, duke shfuqizuar “de facto” organe dhe njësi vendore, duke cenuar të drejta themelore siç është ajo e votës. Nuk është kryer një konsultim i cili do të ishte i përshtatshëm dhe legjitim dhe do t’i përgjigjej amalgamimit dhe jo shpërndarjes së kompetencave”.

SHUMICA

Armando Subashi, në cilësinë e juristit të Kuvendit:

“Janë të pavërteta deklaratat e PD për cenimin e votës. Mazhoranca ia plotësoi të gjitha kërkesat opozitës për sa i përket komisionit parlamentar të reformës dhe anëtarëve të tij, pasi numri përbërës ishte i njëjtë, por që, në fund të fundit, opozita nuk u bë asnjëherë pjesë e këtij komisioni.

Më vjen keq që PD kërkon të marrë rrethana të pavërteta sa i takon cenimit të votës. Nëse flasim për shkeljen e barazisë së votës mund të them se në punën e komisionit parlamentar i jemi referuar censusit 2011, por jo për të marrë popullsinë por i jemi referuar vetëm trendit të zhvillimit ekonomik dhe social dhe lëvizjes së popullsisë. Merakun që keni për pabarazinë e votës nuk na e zgjidh ky ligj, por këtë e zgjidh ligji bazë 8652. U çudita nga argumentimi lidhur me problemet që mund të sjellë ligji në rastin e zgjedhjeve… Durrësi më parë ka pasur 7 njësi vendore dhe tani ka 3. Gjirokastra ka pasur 16 njësi vendore dhe sot ka 7 të tilla.

Mendoj se ligji interpretohet me kuptim të keq. Aty ku numri ka qenë relativisht i madh, ashtu ka mbetur dhe po e njëjta gjë ka ndodhur edhe në zonat e vogla administrative. Shumë shpejt do merremi edhe me kodin zgjedhor. Në radhë të parë do rregullojmë normat me karakter teknik por edhe nëse dalin probleme të tjera jemi në kohë ti rregullojmë që në zgjedhje të shkojmë me një bazë ligjore të plotë”.

/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/