Bashkëkryetari i reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri tha pas takimit se nëse ka vullnet politik marrëveshja mund të arrihet përpara 31 majit.
Sipas tij, puna duhet të vazhdojë aty ku mbeti në mars dhe jo të rinisë nga e para.
“Nuk kemi të bëjmë me rifillim loje, por me vazhdimin e aty ku e lamë. Kjo do të thotë që nuk mund të rikthejmë më axhenda. Ka pasur një numër çështjesh që opozita jashtë parlamentare ka pasur detyrimin për të paraqitur propozimet e saj. Ka një axhendë të dakordësuar dhe një metodologji të dakrodësuar dhe ne nuk mund ti rikthehemi lojës nga e para. Të paktën për një gjë ramë dakord që brenda majit kjo punë duhet mbyllur dhe shpresoj që të gjejmë konsensus për çështjet që kanë mbetur. Të gjitha gjërat janë në tavolinë. Ka mbetur dhe një propozim që unë ja kërkova PD për komisionin e KQZ nëse ka një propozim të ri, sepse deri tani nuk janë shprehur për formulimin e KQZ. Pastaj i mbetet puna e ekspertizës dhe mbi të gjitha këshillave dhe orientimeve të ODIHR. Për gjëra që nuk biem dakord do ti drejtohemi ODIHR për opinion që të na orientojnë drejt konsensus. Ndryshe nuk është qëllimi për të ecur përpara, por për të penguar reformën zgjedhore. Unë do bëj çmos që të kemi një marrëveshje deri në 31 maj. Por ka vullnet dhe po të nisemi nga parimet që kemi rënë mundësia është që të arrimë marrëveshjen edhe përpara 31 majit, sepse puna më e madhe është bërë.”





