Bashkëkryetari i grupit të dialogut për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi ka deklaruar se Edi Rama kërkon të zbatojë një reformë zgjedhore që i shkon por shtat PS dhe që i garanton pushtetin absolut. Në fjalën e tij për mediat, Bylykbashi ka theksuar se Rama nuk pranon të zbatojë marrëveshjen e 5 qershorit, e cila është mbështetur fuqishëm nga ndërkombëtaret dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR sa i përket zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Reforma Zgjedhore dështoi për gati dy vite duke mos bërë asgjë. Grupi i Dialogut nuk kishte mundësi, që prej tre muajsh që është ngritur, të trajtonte dy çështjet që fillon me kthimin te marrëveshja e 5 qershorit që ka marrë bekimin e kancelarive perëndimore më në krye SHBA- dhe të mos zbatojë rekomandimet e OSBE-ODIHR. Akti i djeshëm i njëanshëm i qëllimshëm për të depozituar disa amendamente që nuk trajton Reformën Zgjedhore është dhe dënimi përfundimtar i çdo shansi që të bëhet një reformë zgjedhore ku trajtohen shqetësimet reale të partive politike për zgjedhjet ë lira dhe të ndershme dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR.

Rama është i qëndrimit që vjedh shanset e shqiptarëve dhe më pas nuk ua kthen këto të drejta. Përballemi me faktin që Rama e vret reformën zgjedhore për të disatën herë. Këshilli Kombëtar i PD në një rezolutë të saj përcaktoi votën e emigrantëve si një nga çështjet më të rëndësishme në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Amendamentet e propozuara nga Rama kërkojnë që të votojnë vetëm ata emigrantë që kanë një adresë fikse, ndërsa ata qindra mijëra që janë larguar vitet e fundit të mos kenë mundësi që të votojnë. Nëse do të kishte një proces konsensual, do të kishim gjetur një mekanizëm dhe formulë ku do të hapeshin listat me standardin europian dhe do të garantonte drejtësi dhe barazi të votës”, tha Bylykbashi.