Përfaqësuesi i PS-së në tryezën e Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri duke folur rreth diskutimeve që u bënë ditën e sotme u është përgjigjur kërkesave të parashtruara nga PD për financimin e partive duke thënë se duhet kohë për t’u zbatuar.
Për sa u përket financimeve të partive, Gjiknuri është shprehur se PS është për ‘miks’ të buxheteve si nga privati ashtu edhe nga shteti.
“Në hapat e parë kemi bërë disa propozime që janë mbështetur edhe nga ndërkombëtarët për uljen e tavanit të shpenzimeve të partive në fushatë, tani diskutohet sa do të jetë nga shteti dhe sa nga privatët. Ne jemi për miks, duke shtuar masën për shtetin, por duke lënë një tavan të pranueshëm që u lejon partive të bëjnë fushatë. Gjërat e para mund të adresohen në Kod, ndërsa financimi mbase do të kërkojë më shumë kohë, që të adresohet dhe këtu nuk besoj se do të ketë ndarje. Pjesa e financimit që është më tërësor do të marrë më shumë kohë. Jemi për financimin miks, të gjejmë një shifër të pranueshme balancë”, tha Gjiknuri.





