Pas 2 orësh e 20 minutash diskutime përfundon mbledhja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. Palët ishin mbledhur që prej orës 17:00 në Pallatin e Kongreseve dhe kanë diskutuar lidhur me amendamentet në projektligjin e Kodit Zgjedhor të hartuara nga ekspertët e pavarur. Marrëveshja e arritur mes palëve disa javë më parë për Reformën Zgjedhore dhe për të diskutuar në zhvillimin e pikave për të cilat është rënë dakord në mënyrë që ajo të dërgohet për t’u votuar në Kuvend.

Disa nga pikat që pritet të zhvillohen dhe të diskutohen në mbledhjen e sotme kanë të bëjnë me kuotat gjinore, përbërjen e KQZ, votën e emigrantëve, rolin e medias, financimin e partive politike dhe Kolegjin Gjyqësor Zgjedhor.

Burime bëjnë me dije se mbledhja e sotme pritet që të jetë e gjatë, pasi edhe ekspertët kanë punuar ngadalë lidhur me pikat e dakordësuara.  

Ekspertët e Reformës Zgjedhore për një javë kanë ‘zbërthyer’ dokumentin e firmosur në 5 qershor nga 4 anëtarët e Këshillit Politik, nënshkrim që u bë në sytë e ndërkombëtarëve.

Gjatë javës së shkuar rinisi punën dhe Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, por ekspertët e palëve dhe të pavarurit kanë vijuar punën dhe tashmë është gati drafti për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do të dorëzohet në Kuvend. Komisioni do të mblidhet edhe nesër për të informuar dhe paraqitur ndryshimet e arritura mes palëve.