Këto ditë mediat kanë përqendruar vëmendjen e tyre mbi shumë të vuajturën reformë elektorale, duke e prezantuar si panacea universale që do të mund të zgjidhë të gjitha problemet politike të Shqipërisë. Ja një tjetër reformë, ëndrra e rradhës për ndryshim. Termat “reformë” dhe “ndryshim” janë bërë slogane elektorale të të gjithë politikanëve, ndërsa në veshët e popullit tingëllojnë si formula magjike të afta për të shëruar çdo të keqe. Përkundrazi, realiteti është krejt ndryshe. Në këto vite, janë provuar e zbatuar shumë reforma, por rezultatet kanë qenë zhgënjyese. Njerëzit ankohen se nuk kanë një përfaqësim të vërtetë politik të idealeve dhe (sidomos) të interesave të tyre, qytetarët kanë frikë se votat e tyre janë të padobishme, që marrin një rrugë të ndryshme nga ajo e shprehur nga individi në qendrën e votimit. Janë ankesa dhe dyshime të drejta, që shqetësojnë çdo votues nga kur, në botën demokratike, pati hyrë votimi i përgjithshëm, domethënë e drejta e votës për të gjithë shtetasit pa dallim gjinor, pasurie dhe arsimimi – edhe analfabetët mund të votojnë.
Tani, besoj se duhet folur qartë. Kudo që ka qenë zbatuar, votimi i përgjithshëm ka qenë thjesht një manovër populiste, me qëllimin për të kënaqur masat fshatare dhe punëtore. Por klasat drejtuese – politikanët profesionistë, industrialistët, borgjezia e lartë, intelektualët – nuk kanë menduar kurrë seriozisht, as edhe për një çast, për t'i besuar vendimet e rëndësishme dhe të ardhmen e kombeve “mendjeve të lehta” të popullit. Kjo duhet të jetë e qartë. Besoj ju ka ndodhur të gjithëve të takoni, të paktën një herë në jetë, ndonjë individ jo vetëm injorant, por edhe i trashë dhe i pa aftë për të kuptuar një koncept logjik të thjeshtë. E po mirë, a keni menduar ndonjëherë se me çfarë përgjegjshmërie, me çfarë racionaliteti ky person voton? Ja përse, nga kur është vendosur votimi i përgjithshëm, është krijuar një seri filtrash politikë e institucionalë për “të seleksionuar e ripërpunuar” racionalisht shprehjen e lirë të votës popullore.
Ekzistojnë shumë prova mosbesimi që klasat drejtuese kanë për zgjedhësit. Të mendohet, për shembull, thirrja shumë rrallë dhe me kujdes e referendumeve popullore. Nëse do kishte vërtet vullnet për t'i besuar vendimet e rëndësishme zgjedhësve, do mjaftonte organizimi i një referendumi për çdo ligj ose për çdo manovër ekonomike të qeverive europiane. Por nuk është kështu. Në fakt, mendohet se populli është injorant dhe i manipulueshëm, dhe për më shumë do mund të bënte zgjedhjen “e gabuar”. Jo më kot, në të gjithë vendet europiane janë konsideruar “konstitucionale” vetëm referendumet që kanë të bëjnë me tema të aprovuara nga Bashkimi Europian. Për shembull, referendumi për të ndaluar energjinë bërthamore dhe ai kundër privatizimit të burimeve hidrike janë lejuar e promovuar sepse shërbenin vetëm për të konfirmuar përmes konsensusit popullor dy projekte të përfshirë në axhendën e bankierëve socialistë që sundojnë në Bruxelles. Por përse nuk lejohen kurrë referendume mbi imigracionin ose për kthimin e monedhave kombëtare ose për pranimin apo jo të borxheve nga FMN? Sepse dihet se si do të votonin njerëzit: në mënyrë të kundërt me axhendën e BE, e cila zakonisht është në kundërshtim me vullnetin popullor dhe me idetë e njerëzve.
Duke iu kthyer eksperimenteve të shumta të reformave elektorale që bota “demokratike” ka qenë e detyruar të durojë në dhjetëvjeçarët të fundit, ja çfarë thotë fjalori juridik italian: “Sistemi zgjedhor është i përbërë nga një kompleks rregullash dhe nga një kombinim proçedurash të ndryshme me synim për të mundësuar përkthimin efikas të votave në vendosjen e deputetëve dhe ministrave. Vota e qytetarit mund të marrë një vlerë që varet nga sistemi zgjedhor ekzistues” (ju lutemi vini re “vlerë që varet”). Për shembull, sistemi zgjedhor anglez është maxhoritar i pastër: një mekanizëm i thjeshtë që garanton një maxhorancë të qëndrueshme gjatë gjithë mandatit, por anullon përfaqësimin e forcave politike të tjera. E njëjta gjë vlen për sistemin francez, që sigurisht garanton shpërndarje minimale në mundësitë e zgjedhjes, por nga ana tjetër kufizon shumë përfaqësimin e votave. Dhe çfarë mund të thuhet për sistemin zgjedhor amerikan? Ndryshe nga çfarë mendojnë shumë vetë, zgjedhja e presidentit nuk është direkte. Votat e qytetarëve shërbejnë vetëm për të zgjedhur 538 Votues të Mëdhenj që votojnë për presidentin. Çdo shtet ka një numër të caktuar Votuesish të Mëdhenj, e kështu presidenti nuk fiton në sajë të shumicës së votave në të gjithë SHBA, por nga shumica në shtetet që kanë një numër më të madh Votuesish të Mëdhenj. Për më tepër, teorikisht, një Votues i Madh që zytarisht mbështet një kandidat për president mund të votojë për kundërshtarin.
Pra, në asnjë vend të botës votuesi nuk gëzon një përfaqësim direkt e të garantuar, por duhet t'i besojë “sekserëve” politikë që përdorin votën e tij “për të mirën e përbashkët”. Kështu funksionojnë demokracitë e sotme, çfarëdo qoftë sistemi elektoral ekzistues.
Fajin e kanë Karl Popper dhe pasuesit e tij
E vërteta është se sistemet e sotme demokratike janë viktima të filozofisë së Karl Popper (1902-1994), i konsideruar nga të majtat postkomuniste si filozofi më i madh i shekullit XX. Në të vërtetë, mendimi i Popper ishte jo vetëm arrogant dhe irritues, por edhe thellësisht kontradiktor. Ky filozof vjenez qe marksist krenar në rini dhe pastaj u bë kritiku kryesor i sistemeve totalitare: rruga e tij e daljes nga marksizmi dhe transformimi i tij në “demokrat për të drejtat e njeriut” i siguroi pra një shembull të çmuar ish partive komuniste që nuk dinin si të konvertoheshin në parti “të së majtës demokratike”. Kështu, në vitet Tetëdhjetë, plaku Popper u bë orakulli frymëzues i të majtave të reja që ishin duke ndryshuar lëkurën dhe substancën e ideve.
“Libri i shenjtë” i Popper është “The Open Society and its Enemies” (1945), që filozofi shkroi në Zelandën e Re, ku ai u strehua gjatë luftës së dytë botërore, sepse familja e tij i përkiste borgjezisë së lartë hebraike dhe kishte frikë nga persekutimi hitlerian. Në fakt, vepra është thellësisht e kondicionuar nga situata personale e Popper dhe nga urrejtja e tij për nazizmin. Për më tepër, pikërisht për të shmangur që “nazizme të reja” të mos mund të ngjallen në të ardhmen, filozofi ofron një recetë shumë të thjeshtë: të kufizohet democracia dhe t’i dorëzohet pushteti i vërtetë “institucioneve” jo të zgjedhura nga populli, të cilat janë pa dyshim “anti-tiranike” dhe kanë fuqinë të shkojnë kundër vullnetit popullor në raste kur forcat politike nuk e konsiderojnë të drejtë apo të nevojshme.
Popper nënvizon vazhdimisht se me fjalën “demokraci” ai nuk kupton “pushtetin e popullit” ose “pushtetin e maxhorancës”, por një seri “institucionesh” që kanë mundësi të kontrollojnë dhe të kritikojnë qeveritarët, dhe kanë madje edhe të drejtën për t’i zëvendësuar (?!). Le të ndalemi një moment për të analizuar këto deklarata shumë të rënda. Të gjithë në shkollë kemi mësuar se termi “demokraci” rrjedh nga greqishtja “démos” (popull) “cràtos” (pushtet), domethënë “pushtet i popullit”. Sipas këtij parimi, populli ka të drejtë të zgjedhë udhëheqësit e tij dhe maxhoranca fiton. Nuk ka “nëse” dhe nuk ka “por”, është një formulë matematike, si 2+2 që bën gjithmonë 4. Përkundrazi, filozofia e Popper boshatis “demokracinë” nga vlera e saj themelore dhe kërkon t’i besojë pushtetin e vërtetë jo popullit, jo maxhorancës, jo atij që ka qenë zgjedhur, por “institucioneve” jo të zgjedhura nga populli, e përsëris, jo të zgjedhura!!! Këto “institucione neutrale”, në teori, janë të afta të dinë çfarë është e mirë për popullin – i cili është injorant, i manipulueshëm dhe mund “të votojë keq”. Por atëherë, mund të bëjmë një pyetje logjike? Kush dreqin i emëron anëtarët e këtyre institucioneve, kush vendos se kush janë këta “burra të rrallë”, jashtëzakonisht të mençur, të cilëve duhet t’i përkulen qoftë populli qoftë liderët politikë demokratikisht të zgjedhur??? Dhe akoma: por me çfarë guximi Popper thotë se këto “institucione” kanë të drejtën për të zëvendësuar qeveritarët? A e kuptojmë rrezikun e këtyre ideve tamam antidemokratike?
Popper refuzon hapur tezën e atyre që mendojnë se demokracia konsiston vetëm në faktin se qeveritë janë zgjedhur nga maxhoranca, sepse, sipas tij, identifikimi demokraci-maxhorancë çon pashmangshmërisht në “paradoksin e demokracisë”. Ky paradoks shfaqet sa herë që “maxhoranca vendos që qeveria t’i besohet një tirani” (obsesion i Popper), domethënë të gjitha herët që maxhoranca e zgjedhësve “naivë dhe të manipulueshëm” voton për parti që nuk besojnë në institucionet demokratike dhe që në fakt i shkatërrojnë sapo marrin pushtetin. Pra, Popper përsërit se demokraci nuk do të thotë votë e maxhorancës së qytetarëve. Në radhë të dytë, Popper shpreh të gjithë përçmimin e tij për popullin, i përbërë nga “njerëz idiotë” që sjellin në pushtet diktatorët. Dhe atëherë pyesim: por kush vendos nëse një lider politik është një diktator apo nuk është? Nëse populli i tij e ka votuar, do të thotë se ai udhëheqës shkon mirë për popullin e tij. Do të thotë se çdo popull ka kulturën e tij, traditat e tij dhe preferencat e tij, dhe se kështu, për shembull, një lider që mund të duket shumë autoritar sipas standarteve anglosaksone, nuk është i tillë për një popull arab, aziatik ose afrikan. Me pak fjalë: me çfarë të drejte Popper dhe pasuesit e tij përvetësojnë të drejtën për të thënë kush është një diktator dhe kush nuk është?
Fatkeqësisht, filozofia dhe idetë e Popper janë përqafuar pikërisht nga ato institucione ndërkombëtare që sot qeverisin tërë planetin: FMN që i bën shantazh popujve me borxhe shpesh të padobishme, Banka Qendrore Europiane që vendos kush janë vendet “e mira” dhe kush janë vendet “e këqija” – por nuk i lejon “të këqinjve” të dalin nga euro –, OKB që vendos embargo kundër kombeve “diktatoriale” dhe NATO që i bombardon direkt më pas, Bursat dhe tregjet ndërkombëtare që vendosin një lloj tjetër embargo, duke shkaktuar falimentimin e ekonomive të vendeve “tiranike” (Italia e Berlusconit) apo tepër nacionaliste (Greqia). Ia vlen të nënvizohet se edhe OSBE dhe ODIHR janë pjesë e atyre “institucioneve” shumë të dashura për Popper dhe pasuesit e tij. Pra, kujdes me reformat… Kur “mamadhia” troket, është më mirë që kecat t'i kërkojnë të fusë këmbën poshtë derës.
Popper nënvizon vazhdimisht se me fjalën “demokraci” ai nuk kupton “pushtetin e popullit” ose “pushtetin e maxhorancës”, por një seri “institucionesh” që kanë mundësi të kontrollojnë dhe të kritikojnë qeveritarët, dhe kanë madje edhe të drejtën për t’i zëvendësuar. Këto “institucione neutrale”, në teori, janë të afta të dinë çfarë është e mirë për popullin – i cili është injorant, i manipulueshëm dhe mund “të votojë keq”.