Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas refuzimit që Komisioni Europian i bëri idesë së Presidentit të KiE Charles Michel për zgjerimin e BE-së deri në vitin 2030.
Në rrjetet sociale, Rama e krahason BE-në me një autobus ku udhëtimi mund të jetë i ngadaltë dhe destinacioni i largët, por në fund është i sigurt.
“Kjo është arseyja pse autobusi nuk mund të bëhet kurrë aeroplan. Gjithsesi, më besoni që në statusin aktual të çështjeve, të qëndron në autobusin e BE edhe pa një ulëse, është më e sigurt se të ulesh në një aeroplan rus, sepse udhëtimi mund të jetë shumë i ngadaltë dhe destinacioni ynë është shumë larg, por një gjë është e sigurt si vdekja: Ky autobus nuk do të rrëzohet kurrë”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale.
Sot, Komisioni Europian kundërshtoi objektivin e Charles Michel për zgjerimin e Bashkimit Europian deri në vitin 2030.
Zëdhënësja e Komisionit Europian, Dana Spinant, tha se Michel nuk ishte konsultuar me Presidenten e KE Ursula Von Der Leyen për përmbajtjen e fjalimit të tij që kishte të bënte me zgjerimin e BE-së.
“Ne nuk jemi të fokusuar tek data, por të fokusuar në punën e ngushtë me vendet kandidate që përgatiten për t’ju bashkuar BE-së”, tha zëdhënësja e KE.
Spinant këmbënguli se zgjerimi i BE është një proces i bazuar në merita dhe se vendet kandidate do të lejohen të anëtarësohen pasi të kenë përmbushur kërkesat e BE.