Emma Thompson ka pranuar çmime Oscar, Bafta e madje edhe titullin “Damë”, por ka refuzuar një ofertë gjatë karrierës së saj. Aktorja ka zbuluar se njëherë refuzoi një takim me Donald Trump ditën që u konfirmua divorci i saj.

Thompson tha se po xhironte “Primary Colors” në vitin 1998, një satirë politike bazuar te ngritja presidenciale e Bill Clinton, kur ra telefoni.

“Ishte Donald Trump”, tha ajo në festivalin Locarno të filmit në Zvicër. “Tha: ‘Përshëndetje, jam Donald Trump.” Mendova se ishte shaka dhe i thashë: ‘Si mund të të ndihmoj?’ Ndoshta i duheshin udhëzime  nga dikush. Më pas tha: ‘Do të  më pëlqente të vie dhe të qëndroje te një nga shtëpitë e mia të bukura. Ndoshta mund të hamë darkë. I thashë: ‘Kjo është shumë e këndshme. Faleminderit. Do të të telefonoj.”

Asokohe, Trump sapo ishte ndarë nga gruaja e dytë, Marla Maples. Thompson kishte finalizuar divorcin me Kenneth  Branagh. Më vonë, asaj i ra ndërmend detaji i kohës. 

“Kuptova se vendimi i divorcit tim kishte ardhur atë ditë. Vë bast se ai i kishte vënë njerëzit në lëvizje që të kërkonin një të divorcuar të bukur që të dilte krah tij. Dhe gjeti numrin e rulotit tim. Dua të them, kjo është përndjekje”, tha Thompson me humor.

Më pas, ajo shtoi se mund të kishte ndryshuar gjeopolitikën nëse do të kishte pranuar ofertën e Trump. “Mund të kisha dalë në një takim me Donald Trump dhe do të kisha një histori për të treguar. Mund të kisha ndryshuar rrjedhën e historisë amerikane.”

Thompson është mbështetëse e Partisë Laburiste dhe në fushatat zgjedhore të 2017 dhe 2019 përkrahu publikusht Jeremy Corbyn. Ajo është edhe aktiviste mjedisore që ka bërë fushata për të drejtat e refugjatëve dhe grave.