28 dhjetor 2014 –  Gëzim Shalaj ka marrë një shpërblim modest nga Liga e Futbollit të Zvicrës (SFL). 24- vjeçari nuk është vlerësuar për paraqitjet në fushë, porse ka kontribuar që futbolli të jetë sa më korrekt. Mesfushori Shalaj aktualisht luan për skuadrën rumune Panduri Targu Jiu, ndërsa deri në verë ishte pjesë e skuadrës zvicerane të kategorisë së dytë, Lugano (ish-ekipi i Armando Sadikut). Gjatë kohës që luante për këtë ekip, edicionin e kaluar, Shalajt dhe shokut të tij të skuadrës, Xhonatan Sabatinit, i është bërë ofertë që të trukonin një ndeshje. Një gjë e tillë lojtarëve u ishte bërë në “Facebook” nga një i huaj, i cili u kishte ofruar një shumë të madhe parash, por dy lojtarët nuk u futën në këtë lojë dhe njoftuan për këtë drejtuesit e klubit. Këta të fundit më pas njoftuan drejtuesit e Ligës, të cilët vlerësuan veprimin e lojtarëve.

“Veprimi i Sabatinit dhe i Shalajt ishte shembullor. Ky është ‘fair-play’”, ka thënë shefi i Ekzekutivit të Ligës Zvicerane, Klaudius Shafer. Ai ka përgëzuar dy lojtarët për kurajën e treguar. SFL-ja, që kontrollon dy kategoritë e para të futbollit në Zvicër, ndau një mijë franga për ekipin e të rinjve të Luganos, ndërsa dy lojtarëve u dhuroi nga një portret. Sabatini dhuratën e mori më herët, ndërsa Shalaj vetëm këtë javë. Organet drejtuese të futbollit në Zvicër janë duke u angazhuar maksimalisht për të ndalur trukimet. Që nga janari në kontrata është përfshirë edhe rregulli për ruajtjen e integritetit të futbollit të Zvicrës. Po ashtu në Zvicër zhvillohet një program parandalimi për paracaktime rezultatesh. Shalaj nuk ka probleme me “fair play” por telashet me dëmtimet assesi s’po i ndahen. Ai në Zvicër kryesisht ka luajtur në Kategorinë e Dytë, ndërsa në Superligë bëri vetëm një ndeshje me Luzernin. Te Luzerni nuk ka mundur të shpërthejë pikërisht për shkak të dëmtimeve.

“Së fundi kam thyer një gisht të këmbës në ndeshje për Kupë të Ligës, që ishte e fundit para pushimeve”, ka thënë Shala për sajtin e SFL-së, ndërsa ka bërë të ditur se i duhet të pushojë katër deri në gjashtë javë. Në vjeshtë Shalaj kishte 16 ndeshje në kampionatin rumun, ndërsa shënoi një gol dhe asistoi tri herë. Pati edhe tri ndeshje për Kupë të Rumanisë dhe dy tjera në Kupë të Ligës. “Kam kaluar në Rumani, pasi përfundimisht kam dashur të luaj në Kategorinë e Parë. Rumania në vitet e fundit ka ecur para me futboll”, ka thënë Shalaj. “Futbolli individual në Rumani është më i mirë se në Zvicër. Taktikisht klubet në Zvicër janë më mirë”, ka shtuar Shala, i cili shpreson se në verë do të kthehet në Zvicër, në ndonjë skuadër të Superligës së këtij vendi. Ai më herët ka shfaqur interesim për të luajtur me Kombëtaren shqiptare.