Pas Libisë, edhe Shqipëria i thotë jo ngritjes së kampeve të refugjatëve që Bashkimi Europian kërkon të hapë në vendet e treta. Deklarata u bë gjatë një interviste që kryeministri Edi Rama dha për gazetën gjermane “Bild”. Një ditë pas vendimit të BE-së për hapjen e negociatave në vitin 2019, Kryeministri Rama ka deklaruar se refugjatët s’mund të trajtohen si mbetje toksike.
“Ne nuk do të pranojmë kurrë të tilla kampe refugjatësh, sepse kjo do të thotë që t’i trajtosh njerëzit e dëshpëruar si mbetje toksike që askush nuk i do”, tha kryeministri shqiptar.
Megjithatë Rama shprehet i gatshëm që të japë kontributin e duhur për barrën europiane, por kjo nuk do të thotë se Shqipëria mund të bëhet mbështetje për problemet e çdokujt.
“Edhe në këmbim të anëtarësimit në Bashkimin Europian, Shqipëria nuk do të ndërtonte kampe refugjatësh. Kriza e refugjatëve duhet të trajtohet pavarësisht nga gjendja aktuale e përpjekjeve tona të pranimit në BE”, u shpreh kreu i qeverisë.
Sipas gazetës gjermane “Bild”, Rama nuk e kishte menduar kurrë të tregonte ndonjë gjest heroik në këmbim të hapjes së negociatave si shenjë mirënjohjeje.
Kreu i qeverisë së Shqipërisë i dha një falënderim të veçantë gjermanëve dhe kancelares Angela Merkel. Nëpërmjet pranimit të refugjatëve në vitin 2015, ata ruajtën reputacionin e Evropës “në një mënyrë që do t’i bënte krenarët etërit tanë themelues”.





