Kina nuk është një ndër vendet e preferuara për t’u vizituar, të paktën për Arturon. Arturo në fjalë, ai që të gjithë mendojmë, po pikërisht Vidali, i cili mësohet se i ka thënë jo një oferte faraonike të ardhur nga Shangai SIPG, e cila i kishte garantuar 20 milionë euro në total për 18 muaj.

Veçse edhe me një thes të madh me para përpara syve, mesfushori kilian nuk është tunduar aspak, por ka shtyrë mes falënderimeve interesimin e kinezëve.

Fakti që Barcelona ka pranuar të bisedojë me Shangain, konfirmon se amerikanojugori nuk është në planet e tyre dhe jo më kot është gati që t’ia dhurojë ofertuesit më të mirë, me ankandin që nis nga shuma prej 15 milionësh.

Gjithsesi, edhe vetë Arturo Vidali nuk do të pranojë çdo skuadër, ndonëse nuk do të shtynte kurrsesi, qoftë për nostalgji, qoftë për vlerësim, thirrjen e Antonio Kontes, trajnerit me të cilin lidhi një marrëdhënie të fortë te Juventusi dhe që mund të ribashkohet tek Interi.