President i Turqisë, Recep Tayip Erdogan, vend i të cilit mban shumicën e emigrantëve sirianë, thotë se Siria nuk duhet të ndahet sërish. Turqia është bërë shtëpia e miliona refugjatëve sirianë gjatë luftës civile, ndërsa Ankaraja zyrtare gjatë konfliktit ka mbështetur disa prej grupeve të armatosura që operonin atje.
Këtë të martë, presidenti Erdogan tha se vendi i tij do të qëndrojë kundër çdo sulmi mbi “integritetin e tokave të Sirisë”. “Nga ky moment, nuk mund ta lejojmë që Siria të ndahet sërish. Çdo sulm mbi lirinë e popullit sirian, stabilitetin e administratës së re dhe integritetit të tokave të saj, do të na gjejë ne përballë”, – tha ai.
Deklaratat e tij erdhën pasi Ministria e Jashtme e Turqisë denoncoi ushtrinë izraelite për hyrje në një zonë neutrale të çmilitarizuar që ndan Lartësitë e Golanit të pushtuara prej Izraelit, nga Siria.
“Izraeli edhe një herë po shfaq mentalitetin pushtues”, – tha ministria në një deklaratë duke shprehur mbështetjen për integritetin territorial të Sirisë.
Izraeli thotë se hyri në zonën e patrulluar nga Kombet e Bashkuara për arsye sigurie.
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, paralajmëroi se nuk do ta lejojë një entitet terrorist ekstremist islamik që të kërcënojë kufijtë dhe qytetarët e tij. Deklaratat e tij erdhën pasi ushtria pranoi se trupat e saj po operojnë përtej zonës së çmilitarizuar në Lartësitë e Golanit.
Katz konfirmoi se ushtria po operon ditët e fundit në Siri për të dëmtuar dhe shkatërruar kapacitetet strategjike që i shikon si kërcënim.
“Kushdo që ndjek rrugën e Assad-it do të përfundoi si ai”, – tha Katz duke paralajmëruar udhëheqësit e rebelëve në Siri. Ai shtoi se ushtria izraelite është udhëzuar që të krijojë një “zonë mbrojtjeje sterile” në jug të Sirisë “pa praninë e përhershme të Izraelit”.
Katz u shpreh se kjo bëhet për të mbrojtur banorët e Lartësive të Golanit si dhe të qytetarëve izraelitë.
Lartësitë e Golanit janë një rrafshnaltë në jugperëndim të Sirisë që zgjatet drejt verilindjes së Izraelit. Në vitin 1967 në kohën e luftës në Lindjen e Mesme, Izraeli mori rreth 1200 kilometra katrorë të Lartësive të Golanit, nga ku e kishte sulmuar Siria.
Izraeli aneksoi zonën në vitin 1981, në një lëvizje e cila nuk është njohur nga shumica e komunitetit ndërkombëtar. Administrata Trump e theu këtë rregull të politikës amerikane dhe në 2019 e njohu sovranitetin izraelit mbi Lartësitë e Golanit.
Siria thotë se kjo tokë i ka takuar asaj dhe është betuar që do ta marrë territorin. Ndërkohë Izraeli thotë se kjo zonë është e rëndësishme për sigurinë dhe do të qëndrojë gjithmonë në duart e tij.
Rreth 20 mijë hebrenj jetojnë në Lartësitë e Golanit, ku ndodhen gjithashtu edhe baza ushtarake. Këtë vendbanime konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, pavarësisht se Izraeli i kundërshton këto