Aktivisti, producenti dhe filantropisti James Redford ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare. Lajmin e konfirmoi një përfaqësuese e babait të tij, aktorit dhe regjisorit të famshëm Robert Redford.

“Dhimbja është e madhe kur ndërron jetë një fëmijë. Jamie ishte nëj djalë, bashkëshort dhe baba shumë i dashur. Trashëgimia e tij do të jetojë tek fëmijët, arti dhe filmat që ka realizuar dhe pasioni për mjedisin. Robert Redford dhe familja janë në shumë dhimbje tani dhe kërkojnë privatësi gjatë kësaj kohe të vështirë.”– tha publicistja Cindi Berger.

Lajmi po ashtu u publikua nga bashkëshortja e James, Kyle Redford, e cila shkruajti në një deklaratë në rrjetet sociale: ”Jamie ndërroi jetë sot. Jemi me zemër të thyer. Ai jetoi një jetë të bukur dhe pati dashurinë e shumë njerëzve. Do të na mungojë shumë, jam shumë mirënjohëse për kohën që kalova me të dhe për fëmijët që kemi rritur bashkë.”

Shkaku i vdekjes ishte kanceri në mëlçi. David James Redford ishte fëmija i tretë i Robert Redford dhe ish-bashkëshortes së tij, Lola Van Wagenen. Së bashku me të atin, Redfordi i ri themeloi ”The Redford Center” në 2005, një kompani e cila ka krijuar përgjatë viteve projekte filmike që u kanë shërbyer edhe kauzave të mjedisit dhe klimës, madje duke i dhënë zgjidhje disa prej tyre. Ai shkruajti dhe prodhoi me dhjetra filma, përfshirë këtu dokumentarët ”Watershed”, ”Tocix Hot Seat” apo “Mann v.Ford”.

Pasi bëri dy transplante mëlçie, ai krijoi institutin “James Redford për Transplantet”, një organizatë jo fitimprurëse, e cila kërkonte të edukonte publikun në lidhje me këtë procedurë dhe të gjente dhurues organesh apo palce për transplantet e atyre që kishin nevojë.