William Oliver Stone, një nga regjisorët më të mëdhenj të kinematografisë botërore, fitues i çmimeve Oscar, vjen për herë të parë në Shqipëri.

Shoqëruar nga miq dhe bashkëpunëtorë, Stone ka qendruar pak ditë në vendin tonë, ku ka vizituar peizazhet dhe plazhet e Shqipërisë së jugut.

Prania e Stone  përbën një mundësi të madhe promovuese për Shqipërinë, si në nivel turistik dhe kulturor, ashtu edhe në drejtim të tërheqjes së koproduksioneve të mëdha kinematografike.

Regjisori i famshëm Amerikan, gjatë itinerarit të tij në Shqipëri u ndal edhe në Tiranë, ku vizitoi Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”.

Gjatë kësaj ndalese, Stone u prit në takim nga Zëvendës Ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Znj. Lira Pipa dhe Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Z. Eol Çashku. Pritja e një regjisori si Stone, që ka bërë historinë e kinematografisë hollivudiane dhe ndërkombëtare ishte një mundësi shumë e rëndësishme edhe për shkëmbim idesh.

William Oliver Stone, i lindur më 15 shtator 1946, në New York, është një legjendë, por përpara se ti përkushtohej kinematografisë, ai kaloi një periudhë në Vietnam si mësues i gjuhës angleze e si vullnetar në këmbësorinë e ushtrisë amerikane në luftën e Vietnamit.

Pas plagosjes dhe arrestimit, ai kthehet në Amerikë për të vijuar karrierën që e bëri një njeri të shquar në mbarë botën.

Megjithatë, ai duhej të punonte mbi 10 vite dhe me skenarin e filmit “Platoon” që të fitonte besimin e producentëve dhe të arrinte suksesin.