Nga Gëzim KABASHI
“Nderi i Kombit” Gjergj Vlashi nesër (e premte) do të festojë 90-vjetorin e lindjes.
Një datë e shënuar, e cila i kujton admiruesve të tij dhjetra shfaqje të vëna në skenë, shumë tituj librash të përkthyer dhe mjaft të tjerë të shkruar prej tij: por mbi të gjitha u kujton jetën intensive që ai vazhdon të kryejë edhe kur po hyn në dekadën e 10-të të jetës së tij. Kohët e fundit ai ka përkthyer një tjetër roman nga spanjishtja, i cili është në proces botimi nga shtëpia botuese “Ombra GVG”.
Regjisori, shkrimtari dhe përkthyesi Gjergj Vlashi është kthyer në një pikë referimi për bashkëqytetarët e tij durrsakë, jo vetëm për aktivitetin e gjatë dhe krijimtarinë e pashterur, por mbi të gjitha për pjesmarrjen konstante në veprimtaritë qytetare.
I nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës” Gjergj Vlashi është mjaft i njohur si themelues i Varietesë dhe regjisor i Estradës së Durrësit në vitin 1960, ndërsa ka botuar më shumë se 45 vepra në letërsi origjinale, përkthime dhe komedi.
Kolegët e tij e vlerësojnë si “babai i Varietesë shqiptare” edhe për elementët modernë për kohën që ngjiti në skenat e estradës në Durrës, Pogradec, Vlorë, Peshkopi, Lushnje apo në Shkodër,e po ashtu edhe për punën si pedagog i jashtëm në Institutin e Arteve (sot Universiteti i Arteve). Ato nisin me shfaqjen “Vizitoni ekspozitën tonë” për të vijuar me dhjetra spektakle, të drejtuara prej tij.
Spektaklet me humor “Sofra ballkanike” apo ajo me satira nga Fan Noli u vlerësuan së tepërmi nga spektatorët dhe specialistët.
Pas viteve 1990, kur të gjithë rendën pas pronave Gjergj Vlashi iu kushtua përkthimit dhe letërsisë. Ai udhëton shumë në SHBA dhe në Evropë.
Gëzohet kur shtrëngon duart me autorë, disa prej të cilëve Nobelistë: Hose Kamilo Sela, Hose Saramago, apo Paolo Coelho.
Librat e shkruar prej tij sjellin letërsi për fëmijë, tregime, novela dhe romane. Disa prej tyre i kushtohen Kosovës dhe janë botuar si në Kosovë edhe në Itali.
Përkthimi e ndihmoi Vlashin të dëshmojë në skenë mënyra të tjera komunikimi, ndërsa pas viteve 1990 njohja e gjuhëve të huaja do të bëhej për të një “kalë i fortë beteje”.
Ai nis përkthimin e Kafkës nga gjermanishtja, një prej autorëve më të shquar botërorë. Sjell në shqip veprat “Dera e gjyqit”, “Procesi”, “Metamorfoza dhe novela të tjera”, si dhe “Mjeku i fshatit dhe tregime të tjera”. Më parë kishte firmosur përkthimet Dino Buxati (italisht) e Xhejms Olldrixhi (anglisht), e më vonë edhe Hose Saramago (portugalisht), antologjitë me tregime austriake, spanjolle, hispano amerikane, mes të cilave veçojmë edhe dramën e vetme të shkruar nga Aleksandër Moisiu, me titull “I burgosuri”.
Sipas tij, megjithëse nuk ka një “ndarje me thikë” mes këtyre fushave, në krijimtarinë e tij ka dominuar skena, pasi ka punuar 40 vjet si regjisor profesionist. Gjergj Vlashi nuk e quan “divorc” ndërprerjen e raportit me regjisurën, duke shtuar se tërheqja ka qenë një vendim i arsyeshëm, duke iu nënshtruar ligjeve të jetës e të moshës.
Në 20 vitet e fundit Gjergj Vlashi ka udhëtuar shumë dhe imazhi që ai kishte për botën, sipas tij, ka ndryshuar pjesërisht. Floriani, violinist dhe drejtues i një formacioni orkestral në Korunja (Spanjë) një nga djemtë e Gjergj Vlashit, çdo dy vjet organizon në qytetin e lindjes, në Durrës, “Bienalen e muzikës klasike”. Ndërkaq Zefi, djali i madh vazhdon të ushtrojë pasionin e pikturës në SHBA, atje ku jeton që nga viti 1990.
Gjergj Vlashi u lind në Durrës në një nga rrugicat pranë qendrës së tij dhe nuk u largua asnjëherë nga vendlindja.
I njohur për korrektesën proverbiale dhe për vullnetin e fortë Gjergj Vlashi bën një jetë aktive, edhe pse ka trokitur në moshën 90 vjeç.
Regjisori, përkthyesi dhe shkrimtari i njohur çmohet së tepërmi nga bashkëqytetarët e tij për kulturën dhe kontributet. Për këto motive Bashkia dhjetë vjet më parë e ka nderuar me titullin “Qytetar nderi”, ndërsa durrsakët janë përgatitur ta festojnë ditëlindjen e bashkëqytetarit të tyre.