Një regjisore nga Durrësi merr pjesë në edicionin e 78-të të Festivalit të Filmit në Venecia me filmin me titull “I figli di Caino” (“Bijtë e Kainit”).

Keti Stamo është regjisorja dhe skenaristja e lindur në Durrës, në viti 1982, por që jetën e ka ndarë mes Italisë dhe Zvicrës, e cila në këtë festival të rëndësishëm të kinemasë ndërkombëtare bën debutimin e saj të parë si regjisore.

Filmi i saj sjell dramën e fëmijëve dhe grave shqiptare në veriun e vendit, të cilët përmes ëndrrave të tyre rrëfejnë problemin e madh social të atyre viseve, fenomenin e gjakmarrjes.

“”I figli di Caino” është qëllimisht një film “jo-narrativ”, i bazuar në strukturën primitive të ëndrrave. Filmi tregon një perspektivë të re mbi një problem të lashtë shoqëror shqiptar, të trajtuar përmes këndvështrimit të fëmijëve dhe grave, duke përdorur ëndrrat e tyre si gjuhën kryesore komunikuese dhe duke ndërtuar një atmosferë nostalgjike dhe ëndërrimtare si një gjuhë vizuale”,– thotë regjisorja Keti Stamo për filmin e realizuar prej saj, të prodhuar nga  Margo Cinema, në bashkëpunim me Anima Pictures e Young Films dhe Rai Cinema.

Drama e filmit zhvillohet në malet e veriut të Shqipërisë, në një fshat të vogël ku koha ka ndalur dhe jeta e vdekja varen nga rregullat strikte të Kanunit. Një grup fëmijësh takohen dhe diskutojnë historinë e Kainit dhe Abelit, duke kërkuar një analogji midis historive të tyre personale dhe historisë biblike: një nga mundësitë e pakta që ata të përballen me traumat dhe emocionet e tyre, raporton RAI, në një shkrim kushtuar filmit të regjisores durrsake.

E diplomuar për psikologji dhe me një master në kriminalistikë, Keti Stamo ka studiuar lidhjen që ekziston mes psikologjisë dhe kinemasë.

Ajo ka bashkëpunuar me disa OJQ që promovojnë edukimin përmes arteve. Më pas, Amnesty International e përfshin Keti Stamon në një projekt në kampet e refugjatëve në Greqi. Së bashku me aktorin Ashraf Barhom, ajo u mor me aspekte të ndryshme të migrimit duke përfshirë grupe të fëmijëve sirianë të bllokuar në kampe refugjatësh, përmes teknikës së psikodramës.