Ligji për regjistrin e llogarive bankare deri tani ka dështuar në qëllimin për të lehtësuar punën e institucioneve ligjzbatuese dhe të bankave.
Një nga qëllimet e ligjit ishte që institucionet të përfitonin akses apo të drejtë për informacion nga regjistri i llogarive të subjekteve, në mënyrë që të mos ishin të detyruar të dërgonin kërkesë te të gjitha bankat për të marrë informacionin e nevojshëm.
Por, burime nga sektori bankar shprehen se në praktikë nuk ka ndryshuar asgjë.
Institucionet dhe përmbaruesit gjyqësorë vazhdojnë të dërgojnë kërkesa në të gjitha bankat e sektorit, për të marrë informacion për llogaritë bankare të individëve apo subjekteve.
Bankat vazhdojnë të përballen me volume shumë të mëdha kërkesash për informacion nga institucione, si organet e prokurorisë, apo përmbaruesit gjyqësorë.
Për shkak të numrit të madh të kërkesave dhe afateve të shkurtra ligjore për kthimin e përgjigjeve, kjo praktikë ka krijuar probleme shumë të mëdha për bankat tregtare, që nuk kanë burime njerëzore të mjaftueshme për t’iu përgjigjur në kohë flukseve të tilla.
Për më tepër, megjithëse jemi në epokën e dixhitalizimit, ligjërisht bankat nuk mund të kthejnë përgjigje në rrugë elektronike, por vetëm me dokumente me firmë dhe vulë fizike, proces që kërkon edhe më shumë kohë.
Ligji “Për regjistrin e llogarive bankare” hyri në fuqi në fillim të vitit 2021. Ky regjistër u krijua nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Informacioni i ruajtur në regjistër është konfidencial dhe i padisponueshëm për publikun e gjerë. Ligji përcakton se të dhënat e mbajtura në regjistër përbëjnë sekret bankar e profesional dhe duhen trajtuar e ruajtur si të tilla nga të gjitha autoritetet që kanë akses në to. Ato gjithashtu përjashtohen nga dispozitat e legjislacionit në fuqi për të drejtën e informimit. Regjistri elektronik në fjalë, megjithatë, nuk përmban të dhëna për gjendjen e llogarive, por funksionon vetëm si listë e llogarive bankare që zotëron çdo person apo subjekt.
Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka ketë akses të plotë, të menjëhershëm dhe të pafiltruar në të dhënat e regjistrit, ndërsa subjekteve të tjera të interesuara u garantohet e drejta e aksesit vetëm për ato të dhëna të regjistrit që janë të nevojshme për përmbushjen e detyrave të tyre funksionale.
Në këto institucione përfshihen Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Byroja Kombëtare e Hetimit, Shërbimi Informativ Shtetëror, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, drejtoritë e taksave dhe tarifave pranë njësive të vetëqeverisjes vendore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Niveli i aksesimit për institucionet e tjera do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Financave. Subjektet e tjera, si shërbimi përmbarimor gjyqësor shtetëror ose privat, institucionet financiare apo çdo autoritet publik tjetër, që legjislacioni i posaçëm i jep të drejtën për të pasur informacion në regjistër, nuk do të kenë akses direkt, por mund të marrin informacion vetëm duke paraqitur një kërkesë të argumentuar pranë Drejtorisë e Përgjithshme të Tatimeve.
Por, në fakt, kjo dispozitë e ligjit duket se nuk funksionon, pasi përmbaruesit nuk marrin informacion paraprak për llogaritë bankare nga DPT, por vazhdojnë të dërgojnë kërkesa te të gjitha bankat e sektorit për t’u informuar për llogaritë e debitorëve dhe për të kërkuar, më tej, bllokimin e tyre./Monitor