Qendrat e Specialiteteve po përballen me një fluks pune këto ditë vere, për shkak të një sërë analizash që prindërit duhet të kryejnë për fëmijët që i çojnë në çerdhe, kopshte apo shkolla.

Analiza e koprokulturës dhe vizita tek okulisti janë të detyrueshme. Regjistrimet nëpër kopshte e çerdhe nisin në fillim të shtatorit, ndaj prindërit nxitojnë të bëjnë analizat e nevojshme të fëmijëve të tyre.

Fëmijët që regjistrohen për herë të parë në çerdhe apo kopsht duhet të kryejnë analizën e koprokulturës. Kjo analizë kryhet në fakt për çdo vit, aq sa zgjat kopshti apo çerdhja. Fëmija duhet të ketë vërtetim të vaksinave, që është banor i lagjes dhe certifikatë personale me fotografi. Ndërsa fëmijët që shkojnë në klasë të parë krahas vërtetimit të vaksinave duhet të kryejë edhe vizitën e syve.

Për herë të parë këtë vit është zbatuar një projekt-pilot, sipas të cilit, analizat kryhen pranë 4 qendrave të specialiteteve në kryeqytet.