Rektorati i Universitetit "Aleksandër Moisiu" në Durrës, bën me dije se procesi i regjistrimit në universitete vazhdon pa ndërprerje edhe në fundjavë, duke u dhënë mundësinë të gjithë kandidatëve të shpallur fitues në raundin e parë që të paraqiten pranë sekretarive mësimore përkatëse dhe të vazhdojnë procedurat për regjistrim edhe ditën e shtunë e të diel.

Kur jeni fitues?

Aplikantët duhet të kenë kujdes dhe të verifikojnë në kohë reale në portalin ‘U-Albania’ renditjen e pikëve, klasifikimin dhe lirimin e hapësirave në degët që dëshirojnë. Në momentin që kandidati hyn në portalin ‘ualbania.arsimi.gov.al’ me kodin personal, i shfaqet tabela me programet e studimit ku ai ka aplikuar.

Në rastin kur dega ose degët shfaqen me ngjyrë të gjelbër, maturanti është fitues; kur shfaqen me ngjyrë të verdhë është një sinjalizim që tregon se kandidati është fitues për shkak të lirimit të kuotave, por që ende duhet pritur për përditësimin e listës. Vetëm në momentin që degët me ngjyrë të verdhë të kthehen me ngjyrë të gjelbër, maturanti do jetë fitues dhe mund të regjistrohet brenda afatit 48-orësh në sekretarinë mësimore, për të mos humbur të drejtën e studimit në atë program. 

Të gjithë kandidatët, në bazë të udhëzimit të nxjerrë nga MASR, duhet të dinë që degët e shfaqura me ngjyrë të kuqe tregojnë se aplikanti nuk rezulton fitues në atë program studimi, sepse nuk ka arritur pikët minimale apo janë zënë të gjitha kuotat e paracaktuara në atë degë. Ndërsa në të gjitha ato raste kur programet e studimit shfaqen me ngjyrë gri do të thotë që maturanti nuk është fitues, pasi është përjashtuar nga kriteret e degës, është regjistruar në një program tjetër studimi, ose është përjashtuar pasi nuk ka bërë regjistrimin në kohë në degën e shpallur fituese.

Dokumentacioni për t'u regjistruar

1- Mjet identifikimi (fotokopja)

2- Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së mesme ose diplomë tjetër studimi e njehësuar nga MASR

3- Deklarata e paraqitur në shtojcen 1

4- Mandat arkëtimi për tarifë regjistrimi (merret në Universitet)