Pak ditë më parë, disa studentë iu drejtuan gazetës “Dyrrah” me shqetësimin e krijuar gjatë procesit të regjistrimit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të qytetit tonë. Sipas tyre në sekretaritë e fakulteteve përkatëse të këtij universiteti nuk kanë mundur të regjistrohen edhe pse kanë bërë pagesën e regjistrimit në bankat e nivelit të dytë. Problem ka qenë regjistrimi online që nuk është bërë në kohën e duhur.

E ndërsa për studentët e vitit të parë zgjidhja pritet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, bashkë me rezultatet e aplikimit përmes formularit A3, për studentët e viteve të dyta dhe të treta çështja mbetet te administrata e universitetit. Kërkesën tonë për të marrë një përgjigje ia adresuam përgjegjëses së degës së komunikimit me publikun në universitet, Ola Maliqati.

Pasi dëgjoi shqetësimin e ngritur dhe kërkesën për t’u informuar mbi të dhe pse premtoi një përgjigje nuk denjoi ta japë atë, duke sqaruar paraprakisht se nuk është ajo personi përgjegjës për dhënien e informacioneve të këtij lloji. Atëherë iu drejtuam rektorit Mit’hat Mema, i cili sqaron se problemet e regjistrimit të studentëve kanë hyrë në rrugën e zgjidhjes. Të gjithë atyre që nuk kishin bërë regjistrimin online u është dhënë emri i përdoruesit së bashku me fjalën kyçe për t’u regjistruar, ndërkohë që dhe studentët që e kanë bërë pagesën me vonesë janë sistemuar.

Të tjerë që ende nuk e kanë bërë pagesën e tarifës vjetore të regjistrimit duhet të nxitojnë, pasi është vendosur si rregull që pagesa duhet bërë në fillim të vitit akademik dhe jo në një kohë tjetër përgjatë tij. Në të kundërt mund të rrezikojnë vitin akademik. Për studentët e vitit të parë, procesi është i diktuar nga Ministria, por rektori Mema nuk sheh asnjë problem që mund t’u rrezikojë të rinjve paratë e derdhura për vitin shkollor të fituar në bazë të plotësimit të formularit, ndërkohë që priten dhe përgjigjet për aplikuesit e formularit A3.

Gjuha shqipe, e pa përfshirë në program

Ndonëse viti akademik 2012-2013 ka tre javë që ka nisur, ashtu si në Universitetin e Tiranës dhe në atë të Durrësit ende lënda e gjuhës shqipe nuk është përfshirë në programin e studimit. Ajo është pjesë vetëm e kurikulës së Fakultetit të Edukimit, ndërsa në fakultetet e tjera të këtij universiteti nuk është futur akoma. Rektori i universitetit publik të Durrësit Mithat Mema thotë për gazetën se po shihet mundësia për përfshirjen e kësaj lënde në kurikulat e të gjitha fakulteteve të tjera. Nëse do të jetë një lëndë me zgjedhje apo lëndë e detyruar në universitetin e Durrësit nuk është vendosur, ndërkohë që përfshirja e saj në programin e studimeve akademike në të gjithë vendin erdhi si pasojë e njohurive të mangëta të studentëve në drejtim të shkrimit dhe të shprehurit në gjuhën shqipe. Situata është vlerësuar alarmante nga mjaft pedagogë, të cilët vlerësojnë se një pjesë e mirë e studentëve nuk zotërojnë njohuritë bazë mbi shqipen standarde, ndërkohë që është kthyer në lëndë të detyrueshme prej vitesh gjuha angleze në fakultete. Propozimi për futjen e Gjuhës Shqipe si lëndë të programeve akademike ka ardhur nga Universiteti i Tiranës rreth dy vite të shkuara dhe miratimi i saj për këtë vit akademik i jep mundësi drejtuesve të universiteteve dhe stafeve akademike ta përfshijnë atë në programet e degëve të ndryshme të studimit. Ky do të jetë një vit pilot, ndërkohë që ecuria përgjatë tij do të tregojë jetëgjatësinë e nismës në vitet pasardhëse.