Zbardhet biseda e menaxherit të futbollit, Drini Çaushi, me lojtarin e Partizanit, Emiliano Vila, ku i pari i kërkonte të dytit për të toleruar në ndeshjen ndaj Kukësit, me argumentimin se “Safeti e do patjetër titullin këtë sezon”. Telefonata e menaxherit në fjalë, që ka tre-katër lojtarë të vetët në radhët e skuadrës verilindore, është regjistruar dhe është në duart e drejtuesve të klubit të kuq, që thonë se do ta dërgojnë në organet përkatëse ligjzbatuese për hetim dhe ndëshkim. “Panorama Sport” e ka zbardhur sot krejt bisedën mes dy personave në fjalë, duke dhënë një pamje më të plotë për atë që ka kërkuar Çaushi nga Vila dhe bashkëlojtarët e tij. Saktësojmë se menaxheri shqiptar me banim në Athinë ka “klientë” të vetët disa lojtarë te Kukësi, por edhe Vilën e Partizanit. Ja biseda mes tyre:
Menaxheri: O vllai, ti e di që unë të du fort. Ti nuk je më aty vitin tjetër. Do të marr unë këtu. Do lush me Korfuzin. Unë për ty e kam.
Vila: Ëhë…
Menaxheri: Kur ishim atë ditë në kafe, aty afër ishte edhe Naimi, drejtori i Kukësit. Edhe ai foli me Safetin edhe ai i tha sa të duan. A kupto? Me toleru pak. Jo me bo penallti, por kur të jetë topi në anësore, me e nxjerr jashtë. Me toleru pak. A kupto? Safeti është i fiksuar për të marrë titullin sivjet. E do patjetër.
Vila: Hajt se flasim.
Menaxheri: Ti menoje iher me qetësi dhe pastaj më thuj… Mos më jep përgjigje tani!
Vila: Ok, ok…
Menaxheri: Sepse vlla ti deri në fund të sezonit do të jesh aty, a kupto… se pastaj do ikësh…
Vila: Eee, po pra. Mirë hajt.
Menaxheri: Ki parasysh se nuk dua të… thejsht tolerim, a kupto… nxirre topin jashtë e kshu gjonash, e di vetë ti.
Vila: Hëm… ashtu ëëë…
Menaxheri: Nejse, menoje vetë edhe më thuj. Kur ta ndash mendjen më ço një mesazh. Domethënë kur të jesh vetëm, më ço një mesazh… kaq. Mirë?
Vila: Eeee… hajt se flasim. Hajt, hajt se flasim.