“Një ndërhyrje fasadë që e rregullon problemin vetëm për disa ditë” e konsideron Jola Hysaj, sekretare për marrëdhëniet me Publikun në PD, rehabilitimin e një pjese të bulevardit “Dyrrah”.

Ndërsa ndalet në vështirësitë në qarkullim që shkakton bllokimi i këtij aksi, Hysaj rendit edhe disa problematika të tjera të qytetarëve të Durrësit që lidhen me dëmtimin e trashëgimisë kulturore, investimet e pastudiuara mirë apo vështirësitë në furnizimin me ujë.

“Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë Sakot apo Dakot?”,- e mbyll Hysaj postimin e saj në rrjete sociale.

Statusi i plotë i Jola Hysajt:

Bashkia Durrës në vitin 2015 u ndje shumë krenare, për zhdukjen e historisë së një qyteti gati 3000 vjeçar.

Çdo grimcë e historisë u zhduk me një investim mbi 3 milionë euro për sheshin “Liria”, shatërvani mbi 73-vjeçar në atë kohë u hoq pa mëshirë dhe pa i njohur velerat e tij. Furnizimi me ujë i tij para 73 vitesh ishte sistemuar me vet-qarkullim të ujit, ndërsa sot pas investimit imagjinar 3 milionë euro është kthyer në moçal në mes të qytetit bëhet çdo mëngjes me anë të një boti me ujë.

Shfaqet befas edhe një rikonstruksion, i cili pothuajse çdo vit, si pasojë e “cilësisë shumë të lartë” të punimeve të kryera ka nevojë të domosdoshmë për të ndërhyrë, ndonëse ndërhyrja është thjesht një fasadë e cila rregullon problemin vetëm për pak ditë.

Çdo dimër nuk ka një qytetar të Durrësit që nuk është detyruar të “kërcejë balet klasik” nga ngrica dhe lagështira në rrugë, rrugica e kudo.

Ah, të mos harrojmë faktin e bllokimit të të gjitha rrugëve nga dy senset e kalimit në një të vetëm duke shkaktuar një tjetër kaos dhe vështirë për banorët e qytetit.

Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë Sakot apo Dakot?