Punimet për rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve në lagjen 17 në Durrës, do të sjellin kufizime në qarkullim në disa akse të qytetit. Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës njofton se ndërhyrja do të zhvillohet në rrugët “Glaukia” dhe “Dalip Peza”, ku priten bllokime të pjesshme gjatë gjithë periudhës së punimeve.

Sipas njoftimit zyrtar, investimi do të zgjasë rreth 6 muaj dhe në përfundim pritet të sjellë përmirësim të ndjeshëm të situatës së kanalizimeve, veçanërisht gjatë reshjeve intensive.

Njoftimi i plotë:

“Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës njofton të gjithë qytetarët se, për shkak të nisjes së investimit me objekt ‘Rehabilitimi i rrjetit të kanalizimeve në rrugët “Glaukia” dhe “Dalip Peza” (lagjja 17), gjatë zhvillimit të punimeve do të ketë bllokime të pjesshme të qarkullimit në këto akse.

Investimi në fjalë do të zgjasë 6 muaj dhe në përfundim të tij pritet të sjellë përmirësim të ndjeshëm të situatës në këto dy akse rrugore në rastet e reshjeve intensive.

Për investimin në fjalë është njoftuar edhe Policia Bashkiake për marrjen e masave për të lehtësuar qarkullimin rrugor. Kërkojmë mirëkuptimin e banorëve dhe drejtuesve të mjeteve për shqetësimet e përkohshme, si dhe i ftojmë të tregojnë kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore gjatë lëvizjes në këto zona.”