Meqë po afrohej fundjava dhe koha premtonte për mot me diell mora në telefon bojaxhiun dhe i thashë: Ili, si je? Ke kohë të shtunën të vish të më rehabilitosh kangjellat e ballkonit?
Nga ana tjetër e telefonit ndjej një hezitim në fillim dhe më pas Ili i gjorë më thotë: Do t'i heqësh fare kangjellat… për çfarë të duhem unë atëherë? Në moment e kapa që isha keqkuptuar me të shkretin duke i folur në mënyrë pompoze dhe i thashë shkurt: Jo, jo do t’i lyej, siç kam bërë përherë… Në ndryshim nga hezitimi në dhënien e përgjigjes për pyetjen e parë, këtë herë Ili m’u përgjigj me një frymë: Pa merak, vij unë që në orën 08.00, të shtunën.
Kur e mbylla bisedën, mendova sesa thjesht mund të keqkuptohesh me njerëzit e thjeshtë. E njëjta gjë më kishte ndodhur dhe mua pak ditë më parë, ndërsa lexoja një status në Facebook-un e Autoritetit Portual Durrës, kur njoftimi niste me shprehjen: “Rehabilitimi i kangjellave të hekurit që rrethojnë portin…”
Nga leximi deri në fund i statusit kuptoje se bëhej fjalë thjesht për lyerjen e tyre, një veprim rutinor për mirëmbajtjen e rrethimit të portit më të madh në vend!!!
Në mandatin e dytë të qeverisë Rama, thuajse çdo institucion qendror e vendor dhe çdo titullar në rang ministri e deri tek drejtorët lokalë kanë faqe zyrtare në rrjete sociale, ku pasqyrohet përmes statuseve të veçanta çdo takim, mbledhje, lyerje kangjellash, korrje bari, zëvendësim shkarkuesish dhe lavamanësh nëpër tualete, ndërrim llampash, vendosje sinjalistike vertikale dhe horizontale, celebrime çiftesh etj, etj,
Kur një nga ish-zv/ministrat më jetëshkurtër në post në Ministrinë e Arsimit, Taulant Muka, shkroi se mbledhja e qeverisë ishte e përqendruar tek numri i pëlqimeve, komenteve apo shpërndarjeve që postimet e kryeministrit dhe ministrave merrnin në rrjete sociale shumëkush qeshi. Por realiteti që po jetojmë tregon më së miri se po jetojmë në kohën e qeverisjes së këtij vendi përmes rrjeteve sociale, ku çdo “punë” publike pasqyrohet aty duke propaganduar dhe reklamuar atë që në të vërtetë është detyra primare e çdo të zgjedhuri, duke nisur nga kryeministri e deri tek zyrtari më i thjeshtë lokal; Të bëjë punën për të cilën është zgjedhur apo emëruar.
Me zellin e madh për të reklamuar çdo gozhdë që vihet, çdo barrierë që hiqet, çdo kapak pusete që zëvendësohet, çdo brave dere që ndërrohet jo rrallëherë përfundojnë edhe me statuse që të bëjnë të qeshësh. Në një foto të një institucioni lokal shihen 3 punëtorë që mendohen si të heqin një barrierë të vendosur nga banorët e lagjes, dy policë bashkiakë që shohin nga pak më larg, një shef që mbikqyr 5 vartësit e tij, një fotograf që shkrep foton dhe më pas një tjetër që bën postimin në Facebook. Dhe të mendosh që 8 veta duhen për realizimin e një statusi në rrjete sociale…
Një kolegu im, gazetar i vjetër në Durrës, pak ditë më parë kishte shpërndarë një status të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura në Durrës dhe me korrektësinë që e karakterizon përherë në dhënien e detajeve kishte nënvizuar se statusi njoftonte përmes disa fotove aktivitete të Ambasadës Holandeze në Kepin e Rodonit, por pa specifikuar se për çfarë aktivitetesh bëhej fjalë. Fundja çfarë rëndësie ka përmbajtja, zyrtarët respektivë do kenë menduar se fotot s’kishin nevojë për koment.
Çudirat gjithsesi nuk kanë të sosur. Redaksia e DurrësLajm u kontaktua nga stafi i një kryebashkiaku që bën 3-4 punë në ditë (pavarësisht se në statuset që poston nuk specifikon aspak se çfarë pune po bëhet konkretisht dhe ku po realizohet ndërhyrja) duke iu kërkuar që media të kryente misionin e saj: T’i shërbente vetëm të vërtetës!
Para se të kryetarët e bashkive t’i kërkojnë medias të kryejë misionin e saj, të cilin ne jemi plotësisht të fokusuar për ta bërë me korrektësi dhe profesionalizëm, të zgjedhurit vendorë të 30 qershorit le t’i shohin shkrimet kritike në media jo si sulme personale apo lajme të porositura, por le t’u shërbejnë për të përmirësuar punën e tyre. Nganjëherë një shkrim kritik mund të shërbejë shumë më shumë se dhjetëra lëvdata nga ndjekësit e tyre të zjarrtë në rrjete sociale, që kanë për detyrë të bëjnë like dhe komente pozitive dhe të anatemojnë çdo media kur shkruan diçka që s'i pëlqen shefit të tyre.
Para ca ditësh i bëra printscreen një statusi të kryebashkiakut Erion Veliaj, ku flitej për një operacion të mirëfilltë të Policisë Bashkiake dhe Zjarrfikësve për të shpëtuar një mace që kishte hipur në majë të… pemës dhe ia nisa një kushëririt tim që jeton në Itali prej 30 vitesh.
Përgjigja që mora mbrapsht ishte: Kur të vi unë aty pas dy muajsh, me siguri do të keni kaluar standartet e Zvicrës…
Për një mace që fundja tentoi të fitonte vetëm për disa minuta lirinë e saj nga padronët, u realizua një operacion i tërë dhe një status në Facebook, për ujin e pijshëm që mungon prej muajsh në çezmat e qytetarëve të Tiranës dhe dhjetëra të sëmurë që po mbushin Infektivin prej salmonelës të përhapur nga uji i boteve, Veliaj hesht.
Ashtu siç heshtin të gjithë kryebashkiakët për gjërat që shkojnë mbrapsht në qytetet ku qytetarët vuajnë të gjejnë një vend parkimi, ku parkimet private vjelin para pa lëshuar kupon tatimor, ku tavolinat e karriket e lokaleve hiqen për të zënë sërish vetëm disa orë më vonë hapësirën publike, ku abonetë e linjave urbane janë me pikatore, ku ndërtimet buzë detit hedhin shtat me një vrull të paparë, ku kanalet e ujërave të larta qelben nga mbetjet urbane dhe ujërat e zeza që derdhin në to banorët e zonës përreth, ku akset rrugore shtrohen disa herë brenda disa vitesh dhe prishen prapë po aq shpejt sa rikonstruktohen etj, etj.
Rëndësi ka të përmenden vetëm punët që bëhen në fasada. Sa për ato me të cilat përballemi çdo ditë sapo dalim nga shtëpia, përsa kohë nuk i përmend njeri, zëre se nuk ekzistojnë, pasi askush nuk duhet të ngrejë zërin.
M.B.