Drejtues të Këshillit të Qarkut Durrës, të pushtetit lokal në Krujë dhe kryetari i agjencisë rajonale të mjedisit, Ramazan Kalia inspektuan ditën e enjte zonën e Shkëmbit të Vajës, ku prej ditësh është ndërmarrë një aksion pastrimi. Aksioni vjen në vazhdën e nismës së shpallur nga kryeministri Berisha “Për një Shqipëri të pastër”.

Rruga që të çon për në Shkëmbin e Vajës në Krujë, prej vitesh njihej si zonë mjaft problematike përsa i përket depozitimit të mbeturinave urbane në të. Për shkak të terrenit mjaft të vështirë dhe të thepisur, që nuk mundësonte ndërhyrje tjetër autoritetet menduan se zgjidhja e vetme ishte mbulimi i plehrave me mbetje inerte.

Në bashkëpunim me Agjencinë Rajonale të Mjedisit, që prej fillimit të muajit prill në këtë zonë janë depozituar sasi të konsiderueshme inertesh. Ndërkohë një hap tjetër i ndërmarrë nga Këshilli i Qarkut Durrës, që është edhe iniciatori i këtij aksioni, përgjatë gjithë rrugës malore janë vendosur 15 tabela paralajmëruese që u bëjnë apel qytetarëve të mos hedhin më mbeturina anës rrugës.

Në të njëjtën kohë për të garantuar një mjedis sa më të pastër për banorët e qytetit të Krujës dhe zonave përreth Këshilli i Qarkut dhe drejtuesit vendorë kanë përcaktuar vendgrumbullimin e ri të mbetjeve urbane. Që nga data 13 prill mbeturinat kanë nisur të depozitohen në fshatin Halil, të bashkisë së Fushë-Krujës.

Kryetarja e Këshillit të Qarkut Durrës, Eglantina Begteshinë një prononcim për mediat vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë Krujë dhe Agjensinë Rajonale të Mjedisit për të vepruar shpejt dhe për të dhënë një zgjidhje afatgjatë për menaxhimin e mbetjeve urbane në këtë zonë.

“Prej fillimit të muajit prill nga ana e KQD-ës në bashkëpunim me ARM-në janë depozituar në këtë zonë sasi të konsiderueshme inertesh për të mbuluar mbetjet urbane, pasi pozicioni gjeografik i Shkëmbit të Vajës si dhe terreni i thepisur nuk të lejonte mundësi të tjera ndërhyrjeje”,- tha Begteshi.

Situata e krijuar deri pak kohë më parë në Shkëmbin e Vajës ishte një problem i trashëguar prej vitesh. Mbeturinat e shumta urbane që mbulonin sipërfaqen e kësaj zone malore krijonin një imazh aspak tërheqës për shumë turistë të huaj që vizitojnë në çdo periudhë të vitit qytetin e Krujës.

Aksioni i ndërmarrë nga Këshilli i Qarkut Durrës është ndjekur nga afër nga specialistët e mjedisit. Drejtori i kësaj agjencie për Durrësin Ramazan Kalia tha për mediat se “Kruja bën pjesë te qytetet jo problematike në lidhje me menaxhimin dhe grumbullimin e mbetjeve urbane, por zona e Shkëmbit të Vajës ka qenë një problem i mbartur. Zgjidhja që ne ofruam si dhe Plan Veprimi i hartuar në bashkëpunim me Këshillin e Qarkut Durrës dhe Bashkinë Krujë do ta kthejë Shkëmbin e Vajës në një zone jo problematike përsa i përket depozitimit te mbetjeve urbane”.

Ndërkohë kryetari i bashkisë së Krujës, Shkëlzen Hoxha, tha se tashmë i takon qytetarëve dhe turistëve që të kontribuojnë për mbajtjen pastër të kësaj zone. Sipas Hoxhës, menaxhimi i mbetjeve urbane është një çështje kombëtare që na përket të gjithëve prandaj i përditshëm duhet të jetë edhe angazhimi i të gjithëve.

Aksioneve për mbajtjen pastër të qytetit ju bashkuan gjatë ditës së enjte edhe nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit të Krujës. Të organizuar në bazë shkolle, ata u shpërndanë në pika të ndryshme të qytetit për të pastruar mbeturinat urbane të depozituara aty. 

 

Aksion në Fushë-Krujë

Kryetarja e Këshillit të Qarkut Durrës, Eglantina Begteshi, së bashku me kryetarin e Bashkisë Fushë-Krujë, Gjon Bardhi ka ndjekur nga afër disa aksione të përbashkëta pastrimi të realizuara me mjetet e Drejtorisë së Rrugëve Rurale në varësi të KQD-së si dhe mjeteve që disponon bashkia e Fushë-Krujës. Prej ditëve të para të muajit prill është ndërhyrë në rrugën hyrëse të bashkisë Fushë-Krujë duke zhvilluar aksione të përditshme pastrimi që konsistonin në rehabilitimin e një perimetri të gjerë të mbuluar nga mbetjet urbane. Ndërkohë në kuadër të nismës së ndërmarrë për pastrimin e territorit administrata e Këshillit të Qarkut Durrës iu bashkua ndërgjegjësimit mbarëkombëtar duke zhvilluar ditën e premte një aksion pastrimi përgjatë lagjes nr.2 në rrugën “Karl Topia”.