Ministrja Federale për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare e Republikës së Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, vlerësoi progresin e Shqipëria në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë si një proces domethënës që po ecën me ritëm të shpejtë.
Deklarata e Reisinger, erdhi gjatë konferencës së përbashkët për medie në Tiranë, me ministrin e Punëve të Jashtme Ferit Hoxha, ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Petr Macinka dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës Sllovake, Juraj Blanár.
Vizita e tre Ministrave të Jashtëm zhvillohet në kuadër të formatit Slavkov (S3), një platformë bashkëpunimi politik ndërqeveritar midis Sllovakisë, Austrisë dhe Republikës Çeke, e krijuar zyrtarisht në vitin 2015. Në fokus të takimit, ndër të tjera, ishte edhe procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor.
Reisinger para gazetarëve theksoi se pa vendet e Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian nuk mund të konsiderohet i plotë. “Stabiliteti i këtyre vendeve është siguria jonë, zhvillimi i tyre është mundësia jonë dhe e ardhmja e tyre evropiane është në interes të qartë të Austrisë”, u shpreh ajo, duke shtuar se vendet e rajonit ndajnë jo vetëm histori të përbashkët, por edhe një të ardhme të përbashkët.
Reisinger nënvizoi se procesi i zgjerimit nuk duhet parë si një favor ndaj vendeve aspirante. Sipas saj, zgjerimi përbën një nga investimet më të mençura që Evropa mund të bëjë për sigurinë dhe zhvillimin e saj. “Austria e di këtë shumë mirë, pasi ka përfituar ndjeshëm nga zgjerimet e mëparshme”, tha Reisinger.
Duke iu referuar përvojës së zgjerimi të BE-së në vitin 2004, ministrja austriake bëri të ditur se eksportet austriake janë trefishuar pas këtij procesi, ndërsa vetëm në një raund zgjerimi ka krijuar mbi 130 mijë vende pune në Austri. Reisinger shprehu bindjen se një histori e ngjashme suksesi mund të përsëritet edhe me Shqipërinë.
Në aspektin ekonomik, ajo theksoi se Austria është ndër investitorët kryesorë në Shqipëri, me rreth 50 kompani austriake aktive në vend. Sipas Reisinger, ekziston një interes i fortë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Një tjetër fokus i rëndësishëm ishte energjia e rinovueshme. Reisinger përmendi projektin e kompanisë Fergreen Power për ndërtimin e parkut të parë eolik në Shqipëri, i cili pritet të furnizojë me energji mijëra familje. “Kjo është ajo që sjell partneriteti evropian, investime, vende pune dhe mundësi reale për qytetarët”, deklaroi Reisinger.
“Investime, vende pune dhe mundësi reale për njerëzit. Ka një interes mjaft të fortë për thellimin e bashkëpunimit tonë ekonomik. Partneriteti ekonomik ka nevojë për diçka që është besimi te institucionet, te rregullat e drejta dhe besimi se reformat nuk janë të shkruara vetëm në letër, por njerëzit i ndjejnë ato në jetën e tyre të përditshme”, vijoi ajo.
Duke folur për procesin e integrimit, Reisinger vlerësoi rrugëtimin reformues të Shqipërisë si të rëndësishëm dhe inkurajoi vijimin e reformave, veçanërisht në drejtim të shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit.
Reisinger e cilësoi momentin aktual si vendimtar për Evropën, duke shprehur shpresën se shumë shpejt do të ketë përparime konkrete në negociata.
“Rrugëtimi reformues i Shqipërisë mbetet i rëndësishëm. Shqipëria ka bërë një rrugëtim domethënës drejt anëtarësimit në BE me shpejtësi të plotë. Ju duhet të vazhdoni me këto reforma dhe të ecni në këtë shteg. Kemi arritur në një moment mjaft vendimtar në historinë evropiane dhe shpresoj që shumë shpejt do të jemi në gjendje të mbyllim kapitujt. Nuk është një proces i lehtë, por ju mbështesim plotësisht në rrugëtimin tuaj evropian. Prandaj, kemi nevojë që të vazhdoni me reformat ambicioze, siç janë shteti i së drejtës dhe lufta ndaj korrupsionit”, tha Reisinger.





