Trajneri i kombëtares, Edi Reja ka zbuluar planet mbi disa futbollistë të veçantë në dy miqësoret e radhës të kuqezinjve. Reja theksoi se në ndeshjet e marsit ndaj Sllovenisë dhe San Marinos do ketë minuta për Brojën dhe Kamberin, ndërsa Kumbulla një 90-minutësh do e luajë të plotë. Ndër të tjera, tekniku komenton edhe shortin e Ligës së Kombeve dhe situatën në Itali prej panikut që ka shkaktuar Koronavirusi.
Situata në Italia- “Ne jetojmë këtu dhe po e përjetojmë shumë këtë situatë aspak normale. E gjithë Italia është bllokuar si në nivelin industrial edhe në atë komercial. Është një katastrofë e vërtetë sepse çdo gjë është e mbyllur, madje edhe futbolli duket në vështirësi. Jetojmë në një situatë aspak të lehtë si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë sportiv. Është e pabesueshme ajo që po ndodh këtu. Një situatë, të cilën nuk e kam përjetuar të paktën unë personalisht”.
Shorti i Ligës së Kombeve- “U zhgënjeva që nuk isha i pranishëm në hedhjen e shortit por këtu ku jetoj unë disa kompani ajrore i kanë bllokuar fluturimet. Do të kisha pasur shumë dëshirë të isha i pranishëm në Holandë. Kam qenë në kontakt me presidentin Duka. Duhet të jemi në formë optimale në muajin shtator kur të nisim edhe t’i luajmë ndeshjet. Duhet ta nisim këtë rrugëtim në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të mos lëmë pas dore asnjë detaj.
Janë që të gjitha transferta të vështira dhe duket theksuar që përveç faktit që janë shumë larg në dy prej tyre do të luajmë në fusha me bar sintetik. Duhet të jemi shumë të përgatitur, por mund të them që nuk është një short i keq sepse janë skuadra që mund t’i përballojmë. Gjithsesi me lejoni të theksoj se ndeshjet duhen luajtur”.
Vështirësia për të luajtur miqësoret në Itali dhe mundësia për t’i zhvilluar në Shqipëri- “Jemi të gjithë në pritje. Nuk e di, shpresojmë që të ulet intensiteti i virusit dhe ta kufizojmë sepse edhe gjatë ditëve të fundit rastet janë shtuar. Në Shqipëri mesa kam dëgjuar nuk ka probleme dhe ndoshta mund t’i luajmë në Tiranë sfidat me Slloveninë dhe San Marinon. Unë shpresoj që të luhen në Shqipëri”.
Planet për futbollistët në dy miqësoret e marsit- “Po është e vërtetë, do të provoj disa lojtarë të rinj gjatë miqësoreve të radhës ku do të jenë të pranishëm edhe Broja e Kamberi. I kam ndjekur shumë që të dy gjatë kohëve të fundit. Dua të provoj lojtarë të rinj, sidomos të datëlindjes 1999-2000 por më duhet të pres edhe disa ndeshje përpara se t’i grumbulloj. Kumbulla po zhvillon një kampionat shumë të rëndësishëm por ka ende marzhe përmirësimi.
E kam, ndjekur edhe gjatë seancave stërvitore të Veronës. Di që Kumbulla ashtu si Rrahmani ishte shumë pranë Napolit por ai dëshiron të qëndrojë te Verona deri në fund të sezonit dhe më pas të studiojë të gjitha ofertat që do t’i vijnë. Me Kombëtaren do të marrë minuta të plota në një prej ndeshjeve miqësore por nuk mund të them me Slloveninë apo San Marinon”, u shpreh Reja.





