Plot 93.10 kg kokainë e pastër e fshehur në 83 pako brenda një makine, është sekuestruar në Itali dhe në pranga kanë përfunduar poseduesit e saj, dy shtetas shqiptarë.

Dy shqiptarët me inicialet G.E 36 vjeç e M.A 42 vjeç janë arrestuar në kufirin me Austrinë, me urdhër arrest të prokurorisë së Bolzanos.

Droga qe fshehur në vendin e bagazhit të rrotës rezervë, të automjetit të tyre tip Ford Kuga, mbyllur hermetikisht, e cila mund të hapej vetëm me ndihmën e një pajisjeje elektrike.

Modifikimet në bagazhin e automjetit kanë shkaktuar dyshimet e financierëve italianë, të cilët kanë shoqëruar shqiptarët së bashku me makinën e tyre në një vend të specializuar për kontroll, ku është zbuluar dhe droga e fshehur.

Kokaina ishte e cilësisë mjaft të lartë e të pastër, e cila sipas policisë italiane, kapte vlerën e 18 milionë eurove po të dilte në treg, duke shënuar dhe rekordin e drogës së kapur në provincën Alto Adige.