Policia Financiare italiane në Reggio Kalabria në bashkëpunim me Policinë doganore të portit Gioia Tauro, kanë sekuestruar në orët e para të mëngjesit të sotëm një sasi rekord lënde narkotike të tipit kokainë me vlerë 65 milionë euro.

Lënda narkotike me peshë 308 kg ishte fshehur në 8 çanta e ndarë në 271 pako. Kokaina ishte fshehur në kontenierë që ishin nisur nga Shtetet e Bashkuara, kaloi në Panama dhe destinacion përfundimtar Ancona në Itali. Autoritetet italiane thonë se kjo sasi e madhe kokaine që është sekuestruar ka një vlerë rreth 65 milionë eurosh.

Çantat me drogë gjendeshin pas portës së kontenierit e sistemi i përdorur nga trafikantët për transportimin e saj njihet si i ashtuquajturi “rip off”. Në këtë mënyrë trafikantët mund të tërheqin sasinë e drogës së fshehur në valixhe e çanta udhëtimi, në zonat e tranzitit të mallrave nëpër porte.

Hetuesit thonë se bëhet fjalë për një organizatë kriminale italo-gjermane. Hetimet po vazhdojnë ende për të zbuluar funksionimin e kësaj organizate mafioze.