9 korrik 2015 – Historike, Shqipëria arrin klasifikimin më të mirë të saj të të gjitha kohërave në renditjen botërore të FIFA-s. Shqipëria e futbollit pozicionohet në vendin e 36-të në botë duke u ngjitur më lart se kurrë në klasifikimin global duke thyer rekordin e mëparshëm të prillit të vitit 2013 kur kombëtarja kuqezi arriti deri në vendin e 37-të në renditjen botërore. Në këtë mënyrë Kombëtarja e De Biasit pas paraqitjeve impresionuese që kanë dhuruar kënaqësi e besim te publiku, merr frytet e progresit të vazhdueshëm dhe evident edhe me mirëvendosjen e saj në renditjen e FIFA-s.

Muajin e fundit, Shqipëria ka ngjitur plot 15 shkallë, çka rezulton ndërkohë edhe një ndër lëvizjet më pozitive të këtij harku kohor në nivel global. Janë plot 98 pikë të fituara që i dedikohen pikërisht një tjetër suksesi historik, fitores 1-0 ndaj Francës falë supergolit të Ergys Kaces në miqësoren e luajtur 13 qershorin e kaluar në Elbasan Arena. Me këtë renditje Shqipëria blindon vendin e saj në vazon e tretë të shortit të eleminatoreve të Botërorit Rusi 2018, që do të hidhet në 25 korrik, ku do të ketë mundësinë që të ketë në grup 3 skuadra me koeficient më të ulët, pra teorikisht më të dobëta. Me renditjen më të mirë historike në klasifikimin e FIFA-s Shqipëria kurorëzon një rrugë progresi të vazhdueshëm ku binom i pandarë i suksesit të kombëtares ka qenë edhe Digitalb, sponsori zyrtar i përfaqësueses kuqezi që është impenjuar maksimalisht për krijimin e një atmosfere sa më pozitive përreth ekipit kombëtar si një faktor më shumë për arritjen e rezultateve pozitive. Për sa i përket rivalëve të Grupit I, në eleminatoret e Europianit Francë 2016, Danimarka , kundërshtari ynë direkt për vendin e dytë dhe kualifikimin e drejtpërdrejtë ka ngjitur 5 shkallë duke u pozicionuar e 24-ta në botë.

Franca e dënuar nga humbja në Elbasan Arena zbret 13 vende duke u renditur e 22-ta, kryesuesit e Portugalisë janë skuadra më e mirëpozicionuar e Grupit I pasi qëndrojnë në vendin e 7-të. Mbetet shumë pas, ndërkohë Serbia që edhe pse ka ngjitur dy shkallë renditet në vendin e 43-të, ndërsa Armenia me minus pesë shkallë është e 89-ta në botë. Klasifikimi i FIFA-s ka përjetuar ndryshime të rëndësishme edhe në kreun e tij, ku Argjentina pavarësisht disfatës në finalen e Kupës së Amerikës i ka rrëmbyer vendin e parë Gjermanisë Kampione të Botës që ndodhet në vendin e dytë, ndërsa në 10-shen e parë spikat ngjitja e Anglisë, Uellsit, Rumanisë si dhe Kilit që arrin pozicionin e 11-të falë suksesit në Copa America.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/