Shqiptarët përballen me kosto të larta të shpenzimeve shëndetësore direkt nga xhepi i tyre, por ky lloj shpenzimi duket se është rritur më tej pas pandemisë Covid-19.

Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), të përditësuara së fundmi, në vitin 2021 një shqiptar ka shpenzuar mesatarisht për shëndetin 465 dollarë. Kjo shumë në masën 59.7% (277 USD) është përballuar nga xhepi dhe pjesa tjetër 39.7% nga shpenzimet e qeverisë nga buxheti i shtetit.

Siç shihet nga të dhënat e OBSH-së, shpenzimet e shqiptarëve nga xhepi për shëndetësinë kanë shënuar rritje të ndjeshme pas pandemisë. Në vitin 2015, ky tregues ishte 57.3% dhe që atëherë ka shënuar rritje me 2.5 pikë %.

Qeveria i ka rritur kapacitetet buxhetore, por shpenzimet nga xhepi për shëndetësinë kanë ardhur në rritje gjatë dekadave të tranzicionit në vend të ulen. Siç shihet nga të dhënat e OBSH-së në vitin 2005 shqiptarët paguan nga xhepi 49.3% të kostos së shpenzimeve shëndetësore, teksa më 2021, ky tregues arriti në 59.7%.

OBSH përllogarit se ndërmjet 2015 – 2021 shpenzimet e shqiptarëve për shëndetësinë u rritën me 82%. Gjatë kësaj periudhe, pandemia Covid-19 duket se ka dhënë një ndikim jo të zakontë.

Në krahasim me gjithë vendet e tjera të Europës (pa përfshirë ish shtetet e bashkimit Sovjetik), Shqipëria mban rekord për shpenzimet nga xhepi.

E dyta pas nesh është Maqedonia e Veriut, me 41.7%, e ndjekur nga Mali i Zi (38.1%), Serbia (35.8). Treguesi më i ulët në rajon është në Bosnjë-Hercegovinë (30.7%), ndërsa të dhënat për Kosovën mungojnë.

Në vendet me të ardhura të larta, ky tregues është më i ulët sesa 20% (shih grafikun në fund).

Shpenzimet u rritën në pandemi

Në 2020-n, shpenzimet për shëndet për familjet shqiptare arritën rekordin e 5.6% të totalit të shpenzimeve, nga 4.9% vitin e mëparshëm, në një tregues se kurimi i Covid-19 u përballua nga xhepi (sipas INSTAT, pesha e shpenzimeve për shëndet mbeti e pandryshuar dhe në 2021).

Ndërsa familjet europiane e kishin këtë tregues 4.5% në 2020-n, nga 4.4% një vit më parë, teksa shërbimi shëndetësor më i mirë u garantoi atyre kujdesin e duhur (kujtojmë se në 2020-n, Shqipëria ishte një nga vendet me vdekshmërinë më të lartë shtesë në Europë nga pandemia).

Ekonomia dhe kapacitetet buxhetore janë shtuar gjatë dekadës së fundit, por financimet për shërbimet themelore shëndetësore, të tilla si rimbursimi i barnave dhe kujdesi parësor kanë mbetur në vendnumëro, në një kohë që nevojat për produkte farmaceutike dhe shërbime shëndetësore në një popullsi në plakje po rriten.

Treguesit zyrtare referojnë se brenda buxhetit të shëndetësie ka shpërndarje të padrejtë të fondeve. Gati për një dekadë, buxheti i rimbursimit të barnave ka mbetur thuajse në vendnumëro në një kohë që të ardhurat buxhetore janë dyfishuar dhe burimet financiare të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor (FDSKSH) janë rritur.

Nga viti 2013 me 2022 importet e produkteve farmaceutike në vlerë u rriten me 11,3 miliardë lekë, ndërsa fondet për rimbursimin e medikamenteve u rritën me 3 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare.

Në vitin 2022, importet e produkteve farmaceutike arritën në 28 miliardë lekë, rreth 270 milionë euro, ndërsa fondi shtetëror i rimbursimit ishte 11,4 miliardë lekë. Të dhënat tregojnë se pacientët shqiptarë financuan nga xhepi për blerjen e medikamenteve ose 61% të vlerës së produkteve farmaceutike të importuara më 2022. /Revista Monitor