Ndjekja e arsimit profesional është kthyer në një kërkesë primare të tregut të punës gjatë viteve të fundit. E këtë e vërtetojnë më së mirë shifrat e larta të regjistrimeve në shkollën e mesme profesionale “Beqir Çela” në Durrës.

Nëse në të gjithë arsimin parauniversitar vihet re një rënie e vazhdueshme e numrit të nxënësve që frekuentojnë ciklin 9-vjeçar dhe të mesëm, ky vit i ri shkollor regjistron një rritje rekord për këtë institucion arrsimor.

“Këtë vit akademik janë regjistruar rreth 400 nxënës në klasën e 10-të dhe është një shifër shumë e lartë përsa i përket regjistrimeve për herë të parë në shkollën “Beqir Çela”. Duke marrë shkas nga regjistrimet e vitit të kaluar dhe këtij viti ne jemi rreth 24% më shumë sesa një vit më parë”,- thotë drejtori i shkollës, Fatmir Mërkuri.

E njohur si një nga shkollat më të mira profesionale në shkallë vendi, “Beqir Çela” synon të kthehet së shpejti në një kampus të arsimit profesional. Me 5 degët që ofron, shkolla përgatit gjatë viteve të shkollimit dhe praktikave profesionale në biznese, zanatçinjtë e së ardhmes.

Shifrat e larta të nxënësve të punësuar pranë bizneseve, ndërkohë që ende nuk kanë dalë nga bankat e shkollës, janë për të rinjtë dhe prindërit e tyre një garanci më shumë për të përvetësuar një profesion mjaft të kërkuar në tregun e punës.

“Nxënësit e shkollës “Beqir Çela” punësohen part-time në biznese të ndryshme, duke nisur nga viti i dytë (klasa e 11-të). Janë mbi 80% e nxënësve janë të punësuar, pa llogaritur këtu nxënësit që kryejnë praktikat profesionale nëpër biznese dhe punësohen prej tyre”,- thotë drejtori Mërkuri për “DurrësLajm”.

Shumë prej nxënësve tashmë e kanë pasur një eksperiencë pune dhe ndihen mirë me zgjedhjen që kanë bërë përsa i përket arsimimit të tyre.

Shkolla “Beqir Çela” është e akredituar në pesë drejtime të ndryshme; Shërbime Mjetesh Transporti, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, Elektroteknikë, Termohidraulikë, Mekanikë dhe numëron mbi 1200 nxënës.

M.B.