Serie A flet gjithnjë e më pak italisht. Dhe jo vetëm në fushë, ku sezonin e kaluar të huajt përbënin gati 68% të lojtarëve të ekipit, por tani edhe në stol.

Në fillim të sezonit të ardhshëm, shtatë nga 20 trajnerët do të jenë të huaj, një shifër që bie ndesh me traditën dhe nuk është parë prej gati 30 vitesh, që nga sezoni 1996/97.

Nëse një sezon më parë vetëm tre trajnerë të huaj (Fabregas, Fonseca dhe Runjaic) udhëhiqnin skuadrat italiane, këtë verë ka ndodhur një pikë kthese. Serie A po i hap gjithnjë e më shumë dyert ideve evropiane.

Emrat e rinj në pankinë janë të shumtë dhe të larmishëm. Spanjollët Fabregas dhe Cuesta do të drejtojnë përkatësisht Como dhe Parma. Kroatët Tudor dhe Juric do të jenë në krye të Juventusit dhe Atalantës. Chivu, një rumun me të kaluar si lojtar te Interi, do të marrë drejtimin e zikaltërve. Vieira (francez) është konfirmuar te Genoa, ndërsa Runjaic (gjerman) do të vazhdojë në stol te Udinese.

Ky ndryshim bie ndesh me një traditë të gjatë të dominimit italian në pankinë. Në sezonin 1996/97, nga shtatë trajnerët e huaj, gjashtë u shkarkuan para përfundimit të kampionatit, me përjashtim të Eriksson te Sampdoria. Në fillim të viteve 2000, vetëm dy ose tre trajnerë të huaj merrnin drejtimin e ekipeve italiane, ndër ta, Eriksson që i solli Lazios titullin në vitin 2000.

Valët e huaja vazhduan edhe më pas, me emra si Mourinho, i fundit trajner i huaj që fitoi Scudetton me Interin në 2010, Luis Enrique, Benitez, Mihajloviç, Paulo Sousa, Garcia, Fonseca e të tjerë që lanë gjurmë me rezultate të ndryshme.

Tashmë, Serie A po nis një epokë të re. Me një përqindje të lartë lojtarësh të huaj rreth 68% sezonin e kaluar dhe një numër rekord trajnerësh jo-italianë, kampionati italian po bëhet gjithnjë e më shumë një arenë ndërkombëtare ku italishtja po dëgjohet gjithnjë e më pak, si në fushë, ashtu edhe në pankinë.