Rekord turistësh polakë në Shqipëri. Të mahnitur nga vendi ynë, fluksi i turistëve nga Polonia këtë vit kap shifrat më të larta të viteve të fundit.

Karol Boratynski, një nga guidat e agjencisë më të madhe turistike polake, tregon për “DurrësLajm” se çdo javë do të mbërrijnë në vendin tonë 2700 turistë.

“Gjatë këtij sezoni do të mbërrijnë me 44 chartera, 2700 turistë në javë, të cilët do të akomodohen në 25 struktura hoteliere në Durrës, Golem, Mali i Robit dhe Spille”,- thotë ai.   

Por çfarë pëlqejnë ata në vendin tonë?

“Jo vetëm çmimet e ulta, por edhe bukuria e vendit tuaj i tërheq turistët. Ne organizojnë ture në qytete të ndryshme Krujë, Berat, malin e Dajtit, udhëtim me anije në Vlorë dhe Sarandë etj”,- thotë Boratynski.

Grupe të shumta turistësh shihen çdo ditë në rrugët e Durrësit, duke parë nga afër asetet e trashëgimisë së pasur kulturore të qytetit. Shumica e tyre e vizitojnë Durrësin për herë të parë dhe janë shumë të kënaqur.

Sot që data shënon 1 qershor, pjesa më e madhe e strukturave hoteliere në plazhin e Durrësit dhe përgjatë vijës bregdetare janë të prenotuara. Duket se ky sezon do të jetë mjaft i mbarë për sektorin e turizmit.

“Tek ne ka filluar sezoni veror që në muajin maj. Kemi pasur një muaj goxha të frytshëm. Ka një numër të lartë rezervimesh, krahasuar me vitet e kaluara. Jemi në qershor dhe aktualisht jemi në rezervimet maksimale, i gjithë hoteli është thuajse i rezervuar, ndërsa në fundjavë është thuajse e pamundur të gjesh dhomë për t’u akomoduar”,- Anjeza Selimaj, menaxhere eventesh në hotel “Adriatik”.

Vitin e kaluar, Durrësi arriti shifrën rekord 1 milion turistë, ndërkohë që këtë vit autoritetet deklarojnë se shifra do të jetë edhe më e lartë.

M.B.