Italia ka kapërcyer mbi 1 milionë të infektuar me Covid që prej fillimit të pandemisë. Ndërkohë në 24 orët e fundit ka regjistruar numër rekord viktimash, shifër që nuk shënohej prej datës 6 prill 2020.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Instituti i Shëndetit Publik Italian, sot Italia regjistron 623 viktima e 32.961 të infektuar nga Covid 19.
Në rritje fatmirësisht është dhe numri i personave të shëruar nga virusi. Në 24 orët e fundit janë 9090 të shëruar më shumë. Shqetësuese vazhdon të shfaqet situata në sistemin shëndetësor italian.
Janë shënuar 811 pacientë më shumë me Covid që kërkojnë kurim në strukturat spitalore italiane e 110 të shtruar më shumë në repartet e terapisë intesive.
Në 24 orët e fundit në Itali janë kryer 225 649 tampone e koeficienti i infektimit është në vlerën mbi 26% në krahasim me testimet e kryera.
Numri i të infektuarve aktivë pozitiv në Itali është sot 613.358. Numri i viktimave Covid deri më sot ka arritur në 42 953, i të infekturave 1 028 424 dhe i të shëruarve është 372 113.