Brazil, 4 korrik 2014 – Botërori i Brazilit është një kampionat surprizash, drithërimash në sekondën e fundit, polemikash, por dhe rekordesh. Kështu ndër rekordet e thyera gjatë këtij botërori është dhe ai i sasisë së golave të shënuar nga “stoli”, 29 të tillë, kundrejt 23 të shënuar në botërorin e 2006-ës. Ishte një kohë kur në Kupën e Botës strategët nuk kishin mundësi të ndryshonin fatet e lojës gjatë zhvillimit të ndeshjes. Ishte një kohë kur teknikët përzgjidhnin formacionin e parë dhe mirë apo keq, ishte kjo 11-she që kishte në dorë fatin e lojës përgjatë 90-minutëshit.
Kohët kanë ndryshuar dhe ndryshimet taktike brenda lojës janë kthyer në një armë të rëndësishme për teknikët, kjo është vënë re veçanërisht përgjatë këtij botërori, ku dhe janë shënuar plot 29 gola nga lojtarë të cilët janë futur në lojë gjatë zhvillimit të ndeshjes dhe kanë gjetur golin. Kjo sasi golash e shënuar këtë botëror është një rekord më vete i “Brazil 2014”, i cili edhe pse nuk ka përfunduar ende, numëron 6 gola më shumë se botërori i Gjermanisë në vitin 2006.
Duhet thënë se thuajse të gjitha skuadrat këtij botërori kanë pasur një shpëtimtar që vinte nga stoli, duke filluar nga shqiptari i Zvicrës, Admir Mehmedi, i pari i serisë së 29 golave të shënuar nga stoli, me të hyrë në lojë barazoi rezultatin me Ekuadorin. Golin e fitores për helvetët ndaj Ekuadorit e shënoi Haris Seferoviç, i cili ashtu si Mehmedi hyri në lojë gjatë pjesës së dytë, ndërsa golin e shënoi në minutën e 92, duke u dhënë fitoren e parë zviceranëve këtë botëror. Për t’u veçuar është dhe Miroslav Klose, i cili që në prekjen e parë të topit në ndeshjen ndaj Ganës shënoi golin e barazimit dhe të fundit të takimit.
Po ashtu gjermanët kurorëzuan shpëtimtar edhe Andre Schurrle, i cili me golin e tij ndaj Algjerisë u dha kualifikimin gjermanëve në çerekfinale. Edhe luzitanët në gjirin e tyre kishin një hero. Silvestre Valere i dha Portugalisë golin e barazimit në minutën e 94 ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por që fatkeqësisht nuk vlejti më shumë se një vend i tretë në grup për skuadrën e Cristiano Ronaldos.
Të martën ishte radha e Romelu Lukaku të trashëgonte fronin e heroit te belgët, me të hyrë në lojë në fillimin e ‘extra time’ shënoi golin që do i hapte rrugën kualifikimit të djajve të kuq të Europës. Kosta Rika, Rusia, USA, Koreja e Jugut, Bregu i Fildishtë, Kolumbia, Kili, Greqia, Spanja, Bosnja, Meksika, Algjeria dhe Brazili gjithashtu kanë pasur përfitimet e tyre nga lojtarët të cilët kanë hyrë në lojë gjatë zhvillimit të ndeshjes. Mes 29 golave të shënuar nga stoli bëjnë pjesë edhe dy shqiptarë, Admir Mehmedi, në ndeshjen Zvicër-Ekuador dhe Blerim Xhemaili, i cili shënoi golin e dytë në ndeshjen ku Zvicra humbi me rezultatin 5-2 ndaj Francës.
Gjithsesi, duke parë shifrat, mjeshtër i ndërrimeve pa dyshim është Loius Van Gaal, tekniku i holandezëve ka goditur thuajse të gjitha ndërhyrjet e tij. Një rast ishte Memphis Depay, i cili u bë shpëtimtari i tulipanëve ndaj Australisë, një rast tjetër ishte Leroy Fer ndaj Kilit. Së fundmi ishte dhe futja në lojë e Klaas Jan Huntelaar, i cili mori vendin e Robie Van Persie dhe bëri në 10 minuta lojë atë çka lojtari i Machester United nuk bëri dot për 80 minuta. Huntelar shënoi në minutën e 94 golin që iu dha çerekfinalen holandezëve. 5 kampionatet botërore me më shumë gola nga të futurit në lojë.
2014 – 29 gola; 2006 – 23 gola; 2002 – 21 gola; 1990 – 20 gola; 1982 – 16 gola.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





