1 nëntor 2015 – Biza e Martaneshit, zona për stërvitje ushtarake dhe me bukuri natyrore për turizëm, u trondit në mëngjesin e së dielës, më 1 nëntor 2015, nga 15 tërmete, lëkundjet e njërit prej të cilëve, me magnitudë 4,7 ballë të shkallës Rihter, u ndien edhe në Durrës, ndonëse në distancë në vijë ajrore 53 km në lindje të qytetit bregdetar.
Ka ndodhur një dukuri jo fort e zakonshme tektonike, teksa për dy ditë rresht, më 31 tetor dhe 1 nëntor 2015, zona përreth Bizës (Martanesh, Bulqizë) u godit nga 4 tërmete të shtunën në mesditë dhe 15 të dielën në mëngjes, që u ndien edhe në Tiranë, Dibër, Mat, Durrës, Elbasan, Librazhd, Lezhë, Shkodër, Tetovë, Prishtinë, Prizren, Malin e Zi
Rrjeti sizmik shqiptar edhe ai mesdhetar kanë regjistruar të dielën, ora 7:20:26, një tërmet me forcë M=3.3, me epiqendër në thellësinë 6 km, në koordinatat 41.36° V, 20.24° L, 3 km në verilindje të Fushë-Bizës. Tri minuta më vonë, ora 7:23:40, pasuan lëkundje toke me forcë më të vogël, 2,6 ballë, me epiqendër në thellësinë 17 km, 1 km më tej, në koordinatat (41.35° V, 20.22° L). 1 minutë më vonë, ora 7:24:54, po aty afër, në koordinatat 41.35° V, 20.24° L, vjen një lëkundje me forcë 2,6 e epiqendër në thellësinë 6 km.
Por tërmeti i vërtetë, me forcë 4.7 ballë të shkallës Rihter (jo 5 ballë sikurse raportuan mediet on-line), u shfaq në orën 7:27:05, me epiqendër në thellësinë 18 km, në koordinatat 41.35° V, 20.23° L, një kilometër në verilindje të Bizës, rrëzë Majës së Kaprollit (pika e kuqe në hartë). Ndonëse qyteti i Durrësit ndodhet 53 km në vijë ajrore në perëndim të Bizës (shih hartën, pika e kuqe), i ndjeu lëkundjet, sidomos të forta, në pallatet mbi 7 kate e sipër, duke shkaktuar panik të vërtetë. Natyrisht, qendra e kryeqytetit që ndodhet 24 km në vijë ajrore në perëndim të Bizës, por sidomos komunat e tjera në 10 km, u shkundën mirë e mirë nga ky tërmet. Tirana ka dendësi ndërtimesh të larta nga më të lartat në Shqipëri dhe nuk është e sigurt nëse për të gjitha ndërtimet e pas viteve 1990 në kryeqytet, por edhe në Durrës, është pyetur ish-Instituti Sizmologjik!
Pas këtij tërmeti, në Martanesh ka pasur edhe 11 pasgoditje më të lehta në orët 7:30:54, 7:31:54, 7:37:01, 7:41:59, 7:44:06, 7:45:33, 7:47:46, 7:50:48, 7:52:23, 8:13:50, 8:52:01.
Nuk ka njoftime zyrtare për viktima apo dëme materiale.
/th. m. portali DurresLajm/