Italia triumfoi 2-1 në miqësoren e luksit me Holandën në Amsterdam Arena, por më shumë se suksesi i të kaltërve, që thelloi krizën e “Tulipanëve”, përbën lajm rekordi i portierit të Milanit, Gianluiggi Donnarumma, i cili 18 vjeç e 31 ditë bëhet portieri më i ri që ka luajtur titullar në Kombëtaren Italiane.
Giggi Buffon, ende numri 1 i portës së të kaltërve ka debutuar me Kombëtaren, pasi kishte mbushur 20 vjeç pikërisht në kualifikueset e europianit me 10 tetor të vitit 1998 në sfidën Itali-Zvicër, 2-0. Ndërsa një tjetër legjendë e portës së Italisë, Dino Zoff, zbriti në fushë për herë të parë titullar më 20 prill të 1968-ës, në takimin e fituar 2-0 me Bullgarinë kur i kishte mbushur 26-vjeç.
Në sfidën debutuese si titullar, Donnarumma nuk mundi të bënte asgjë pas devijimit të pavullnetshëm të Romagnolit, për golin e 1-0, por ishte vendimtar me disa ndërhyrje të tij në fund të miqësores me Holandën, duke ruajtur avantazhin e Italisë të arritur që në pjesën parë. Këtë arritje personale ia dedikon familjes dhe të dashurës së tij, ndërsa nga Buffon thekson se ka ende për të mësuar.“Jam shumë i lumtur për debutimin që nga minuta e parë, por portier i parë mbetet Buffon. Jam i kënaqur për të gjitha këshillat dhe mbështetjen që më jep. Gjithmonë më thotë se duhet të jem i qetë. Përkraj tij ke gjithmonë dicka të re për të mësuar.”Pyetjes për të ardhmen e tij Donnarumma iu shmang me delikatesë, duke theksuar që për momentin do t’i gëzohet debutimit si titullar në kombëtare e më pas do të nisë të mendojë për Pescarën në Serinë A.