Rekordmeni botëror në vrapimin me pengesa 3000 metra, Lamecha Girma, pësoi një rënie të rëndë mbrëmjen e djeshme në Lojërat Olimpike “Paris 2024” dhe u dërgua në një spital në Paris.
Girma ishte në vendin e gjashtë pas 2000 metrash dhe të gjithë prisnin që në xhiron e fundit ai të depërtonte në pjesën e përparme të kolonës, por duke kapërcyer pengesën, ai ngeci dhe u rrëzua keq në pistën e tartanit.
Pasi të gjithë konkurrentët e anashkaluan, mjekët i dhanë ndihmën e parë dhe më pas e nxorën jashtë stadiumit me barelë dhe e transferuan në spitalin Pitié Salpêtrière.
Sipas gazetës L’Equipe, atleti etiopian madje humbi vetëdijen kur u rrëzua.
Shumë sportdashës ishin të shqetësuar për gjendjen shëndetësore të Girmas dhe lajmet e mira mbërritën shumë shpejt nga spitali.
Girma po shërohet me sukses dhe ka kaluar pa pasoja të rënda, por ka qëndruar gjatë natës në spital për masa paraprake.
Medaljen e artë olimpike në garë e fitoi marokeni Soufiane El Bakkali me kohën 8:06.05, që është gati 14 sekonda më e keqe se rekordi i Girma (7:52.11).
Amerikani Kenneth Rooks (8:06.41) fitoi medaljen e argjendtë, dhe Keniani Abraham Kibiwot (8:06.47) fitoi medaljen e bronztë.