Pesë persona mes të cilëve dy femra, janë arrestuar nën akuzën e prostitucionit, në kuadër të operacionit të koduar ‘Rekrutimi’. Ky operacion realizua nga Seksioni i Trafiqeve në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas një hetimi disa mujor. Në pranga kanë përfunduar I. Qama, 23 vjeçe, banues në Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i personave, kryer në bashkëpunim”, Ledian Gjoni, 28 vjeç, banues në Skrapar, për veprat penale “Trafikimi i personave”, “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Fallsifikim të letër njoftimeve, stampave ose vizave”, Ardit Shmilli, 24 vjeç, banues në Poliçan, për veprën penale “Trafikimi i personave, kryer në bashkëpunim”. Po ashtu edhe Zamir Hodo, 31 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i personave, kryer në bashkëpunim” dhe A. Qama, 25 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”. Ndërkohë, 3 persona po hetohen në gjendje të lirë.

Sakaq, në cilësinë e provës materiale u sekuestrohen dy karta identiteti rumune të dyshuara të fallsifikuara, 4 bileta avioni, 7 telefona, 1500 € si dhe një automjet taksi i cili bënte transportin.

Këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar veprimtari kriminale të tendencës së shfrytëzimit të prostitucionit në Shqipëri si dhe kanë rekrutuar me qëllim trafikimi e më pas shfrytëzimin për prostitucion si dhe dërgimin e tyre drejt Gjermanisë të dy shtetaseve M. TH dhe A.P. Gjithashtu janë referuar materialet në gjendje të lirë për shtetaset M. Th. dhe A. P. të cilat janë rekrutuar nga personat e mësipërm dhe dyshohet se kanë ushtruar prostitucion në Shqipëri dhe me pas do te shfrytezoheshin jashtë vendit.

E përfshirë me trafikimin e vajzave dyshohet të jetë dhe shtetasja Rumune me inicialet P.C., e cila dyshohet se ishte personi pritës në Gjermani. Shtetasit e mësipërm u kapën në flagrancë gjatë operacionit të zhvilluar nga Sektori Kundër Trafiqeve në D.V.P.Tiranë në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në momentin kur po tentonin të kalonin pikën e kalimit kufitar Morinë, pasi ishin ndjekur dhe mbajtur nën vëzhgim që nga Tirana. Materialet proceduriale i’u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, për veprat penale “Trafikimit të personave të rritur” dhe “Shfrytëzimit të prostitucionit”.