Pedagogia e Fakultetit të Shkencave të Natyrës Mimoza Hafizi, gjatë fjalës së saj në forumin universitar deklaroi se nëse rektorët e universiteteve do bashkoheshin me protestën, politika nuk do të mund të refuzonte kërkesat e tyre.

Sipas saj, pjesa administruese dhe ajo e pedagogëve ne universitete janë në dy universe të ndryshme paralele pasi asnjëra nga palët nuk dëshiron të dijë se çfarë ndodh me palën tjetër.

Ajo shtoi se pjesa drejtuese duhet t’i japë llogari trupës akademike dhe jo politikës, ndërsa propozoi se asnjë drejtues nuk duhet të ketë më shumë se një mandat në këtë rol.

“Unë kam folur shumë dhe do kisha dashur që ta marrë fjalën rinia, para 2 vitesh kandidova për rektore të uni Tiranës dhe këto problematika i kam diskutuar, një nga kërkesat kryesore ka qenë rritja e pagës së pedagogëve. Nëse rektori bëhet bashkë me gjithë trupën situata është e parezistueshme për politikën, universitetit dhe pedagogëve u takon një rrogë e tillë. Dua të them që le ta hedhim shikimin drejt vetes, ku janë problemet tona. Nëse zgjidhim disa nga problemet e brendshme jemi shumë më të fortë edhe para politikës, në administrimin e universitetit jemi një bashkësi. Nga ana tjetër janë administratorët që kemi zgjedhur vetë që janë kthyer në 2 universe paralele, pedagogët janë të interesuar në punën e tyre dhe nuk duan t’ia dinë çfarë ndodh në administrim, ndërsa pjesa drejtuese nuk do të dijë çfarë mendojnë pedagogët.”