Të enjten më 24 qershor, UAMD dhe Fakulteti i Biznesit do të organizojnë për herë të parë eventin “Panairi i Punës dhe Karrierës”, një ngjarje kjo ku pjesëmarrëse janë rreth 150 sipërmarrje të rëndësishme nga bashkitë Durrës, Tiranë, Krujë, Kavajë, etj, përfaqësues të institucioneve kryesore vendore, përfaqësues të projekteve të bashkëpunimit në fushën e arsimit, formimit profesional dhe punësimit, si edhe zyrat vendore të punësimit.
Rektorja e UAMD-së, Kseanela Sotirofski, në një intervistë për “DurrësLajm” shprehet se nismës së universitetit ju përgjigjën pozitivisht një numër shumë i madh biznesesh, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të intervistuar dhe madje dhe lidhur kontrata pune gjatë ditës së panairit.
Gjatë këtyre ditëve, stafi akademik i UAMD-së ka organizuar disa Webinar-e për të trajnuar studentët për shkrimin profesional të CV-së dhe Letrës së Motivimit, në mënyrë që ata të paraqiten sa më mirë në intervistat e punës.
“Panairi është një punë gati 2-vjeçare, e cila diskutohet me qëllimin kryesor që ne kemi, lidhjen e studentëve dhe lidhjen e kurrikulave universitare me tregun e punës. Ne kemi filluar prej një jave të zhvillojmë disa Webinare se si të shkruajmë një CV dhe si të shkruajmë një Letër Motivimi dhe si të kërkojmë punë. Pra qëllimi kryesor i forumit përtej gjetjes të një vendi pune është lidhja e universitetit me kompanitë, lidhja e universitetit me pushtetin vendor, me pushtetin qendror, me sipërmarrjen dhe mundësia e studentëve për të ofruar kapacitetet e tyre dhe për të zbuluar kapacitetet e tyre ndaj një kompanie. Gjatë kohës që ne do të zhvillojmë panairin e punës dhe karrierës ku do të marrin pjesë rreth 150 kompani në të cilat përfshijmë edhe institucionet publike më të rëndësishme në vend, ne do të zhvillojmë edhe një forum për punësim rinor.”
“Panairi është në organizim dy palësh, universiteti dhe partnerët, kompanitë ose institucionet. Në fakt ne na ndodhi diçka që nuk e prisnim, pasi i bëmë ftesë institucioneve, kompanive dhe sipërmarrjeve për të marrë pjesë në panair, ne patëm dhe shumë kërkesa nga institucione dhe biznese të ndryshme për të qenë në panair. Kjo ne na bën optimist dhe tregon se institucionet dhe kompanitë kanë nevojë për njerëz që do të punojnë pranë tyre dhe është hera e parë që një universitet publik bën këtë organizim dhe unë medoj që sot jemi në pikën që kompanitë e kuptojnë që kapacitetet për të punuar në institucionet e tyre janë pikërisht universitetet.”
“Në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë në Durrës kemi krijuar edhe një bord këshillimor për kurrikulat dhe për lidhjen e kurrikulave me tregun e punës, në të cilin marrin pjesë, biznese dhe drejtues biznesesh nga më të shquarit. Ne synojmë të kemi studentë të diplomuar të cilët janë të aftë të përfaqësojnë veten e tyre në tregun e punës. Ne gjithashtu synojmë të kemi studentë të cilët kur dalin nga UAMD-ja të jenë studentë të aftë të përballojnë tregun, po të jenë studentë të denjë edhe studentë të mirë të cilët shërbejnë në institucione ose komunitetin ne të cilin ata jetojnë,”– u shpreh Sotirofski





